Flash News

KRYESORE

29-vjetori i themelimit të PD, si e kujton studenti i dhjetorit: Për dreq, të freskët, por të lënduar kam edhe shpresën

29-vjetori i themelimit të PD, si e kujton studenti i dhjetorit: Për

Dritan Shano, një nga anëtarët themelues të PD para 29 vitesh, por edhe student aktiv i protestave të dhjetorit 1990 është kthyer pas në kohë dhe ka kujtuar ditën e themelimit të Partisë Demokratike.

“E kam ende të freskët në memorie ditën e 29 vjetëve më parë kur po mblidhnim firmat që duheshin për të regjistruar PD si parti politike. Për dreq, të freskët, por të lënduar, kam edhe shpresën që kishim, në shpirt me ato letra nëpër duar. Ishte një pohim. E donim Shqipërinë si gjithë Europa! E sot?!”, shkruan Shano në rrjetet sociale, i cili shton se kur kanë kaluar 29 vite nga ajo ditë, sot dominon urrejtja, jo dashuria.

“Nuk dua të merrem me gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhen sot demokracia shqiptare, liritë dhe të drejtat e shqiptarit, alternativat e tij të zhvillimit si emigracioni, azili, ekonomia mikroskopike dhe e prapambetur....

Reflektimi i për sot, 29 vjet më pas, është se ekzistenca fizike dhe shpirtërore e individit shqiptar vazhdon të mbetet e bazuar tek urrejtja dhe jo tek dashuria. Mendoj se kjo është një nga arsyet kryesore pse jemi të varfër, të mjerë dhe të manipulueshëm kollaj.

Shqiptari i sotëm vazhdon të mos jetë i prirur "të qëndrojë për" diçka apo shumëçka; por ai ruan prirjen "të qëndrojë kundra" thuajse gjithçkaje. Vazhdon të preferojë izolimin kundër hapjes.

Po ta dëgjosh Shqipërinë me kujdes, dëgjon se ne, bijtë e saj, në këtë shekull, 29 vjet pas themelimit të PD, vazhdojmë të duam të mohojmë më shumë sesa të pohojmë.

Ne vazhdojmë të jemi anti, anti-kështu, anti-ashtu, anti-, anti-, anti, dhe pak ose aspak pro, pro-kështu, pro-ashtu, pro- pro- pro-.....

Po sikur të fillojmë të ndryshojmë nga pak. Pak fare. Shqiptar mbas shqiptari. Familje mbas familje. Si thoni?”, shkruan Shano.

Të fundit