Flash News

KRYESORE

“3 mijë euro nata”, analiza e mediave për pushimet luksoze të Tahirit në Korfuz para tre viteve: Ku i gjen paratë?

Të dielën në mbrëmje, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndonëse nuk është zbardhur ende dosja me fakte të reja, mediat kanë shkruar se dyshohet se prokuroria ka informacione se Tahiri ka pasur një takim më një nga vëllezërit Habilaj në ishullin luksoz të Korfuzit.

Deri tani, lajmi nuk është mohuar as nuk është pohuar nga palët, por nëse i rikthehemi shtypit të para 3 viteve, vërehet se Gazeta Dita, e cila njihet si një media e majtë, ka raportuar detaje rreth pushimeve të Tahirit në këtë ishull.

Me një gjuhë kritike ndaj Ministrit të Brendshëm, gazeta pasi përshkruan resortin ku dyshohet se po kalonte pushimet Tahiri, ku një natë varion nga 1200 – 3200 – 9000 euro, pyet se si është e mundur që një zyrtarë i lartë me rroge 150 mijë lekë të reja në muaj mund të përballojë shpenzime të tilla.

Komenti i plotë më 11 Gusht 2015:

Corfu Imperial është një resort turistik i mrekullueshëm, që mund të përmblidhet si… krenaria turistike e Korfuzit. Dhomat, vilat, suitat, bangalou-t e tij shtrihen në një gadishull privat, nëntë kilometra larg qytetit, gadishull i cili përmban 3 plazhe ranore të magjishme.

Në historikun e frekuentimit, ky resort që është pjesë e zinxhirit hotelier Grecotel, shënon mjaft familje mbretërore që e preferonin, si atë të dikurshme greke ashtu edhe sovranë të tjerë nga bota.

Dhe një detaj tjetër, shefat e restoranteve të këtij resorti duhet patjetër të kenë fituar çmime ndërkombëtare të famshme për të filluar punë.

Për të mos krijuar keqkuptime, ky paragraf nuk ishte promocion për resortin në fjalë; aq më tepër që megjithë krizën greke, nga një kërkim në internet rezultoi se mjediset e tij ishin të zëna këto ditë gushti. Jo, këtë hyrje të nevojshme bëmë për të shpjeguar se ku i kalon këto ditë pushimesh ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri.

Çmimet e zonës së vilave në Corfu Imperial

Dy burime të DITA-s kanë konfirmuar faktin që Tahiri ndodhet në Corfu Imperial. Në vetvete nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është e domosdoshme që ministri i Brendshëm të pushojë.

Por pasi përshkruam cilësitë e resortit në fjalë, lexuesi mund ta marrë me mend që çmimet nuk janë aspak të përballueshme, qoftë dhe për rrogën e një ministri prej 150 mijë lekë bruto.

Të dhënat e DITA-s pohojnë se Tahiri pushon në një nga vilat (viletat) e kompleksit ekskluziv në fjalë. Nga faqja zyrtare e Corfu Imperial mësojmë se çmimet e këtyre viletave variojnë nga 1100 euro nata (junior bungaloë suite), në 1600-2200-2400-2800-3200 euro nata dhe, për të mos shkuar më tej, ekzistojnë dhe mjedise si Palazzo Sissy dhe Royal Pavillon me përkatësisht 5 mijë dhe mbi 9 mijë euro nata.

Duke dashur të besojmë se ministri Tahiri ka zgjedhur luksin mesatar të këtij resorti, diku tek 2-3 mijë euro nata, sërish do të nevojitej gjithë rroga e tij vjetore për të kaluar një javë në Corfu Imperial.

Njëherësh, mësojmë se në këtë krenari turistike të Korfuzit, bashkë me ministrin ndodhet edhe ish kreu i njësisë 6 për PS-në në Kombinat, i afërt me Sajmirin që kur ai si deputet socialist mbulonte njësinë 6.

Ministri i Rendit Sajmir Tahiri

Miku i ministrit, familjarë të të cilit shihen shpesh kohët e fundit në Tepelenën e akuzuar si “Lazarati nr.2”  është përmendur së fundmi për iniciativën e vënies së një rruge në Kombinat, të emrit të vëllait të ndjerë të vëllezërve Frroku.

Ai nuk e ka mohuar se njihet me Frrokët, e madje se kishte biznese të përbashkëta me deputetin Mark Frroku.

Me profesion jurist, që në cv-në tij online, lidhur me aftësitë kompjuterike shkruan se “di të përdor internetin, ëord-in, Excel-in etj”, ai shihet shpesh në shoqërinë e vyer të ministrit.

Ajo që nuk dihet është a i kanë hesapet e këtyre shpenzimeve luksi më vete, apo kush ja paguan kujt.

Në çdo rast, janë pushime që ngrenë një pikëpyetje të madhe.

Ballina e gazetës Dita:

Të fundit