Flash News

KRYESORE

3 vjet Reformë në Drejtësi, PD : Asnjë zyrtar i lartë nuk u ndëshkua nga drejtësia private e Ramës  

3 vjet Reformë në Drejtësi, PD : Asnjë zyrtar i lartë

Partia Demokratike e ka cilësuar Reformën në Drejtësi tre vjet pas miratimit të saj në Kuvend si mburoja e çdo pushtetari apo krimineli të lidhur me pushtetin për llogari të Edi Ramës.

Në një deklaratë për mediat, përmes Çlirim Gjata, Sekretari për Çështjet Ligjore të PD tha se vendimi i Gjykatës së Durrësit për të ndryshuar një vendim pa e apeluar atë është simboli i drejtësisë private që ka ngritur Edi Rama.

Deklarata e plotë:

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, pak ditë më parë, është simboli i drejtësisë private që ka ngritur Edi Rama.

Vendimi skandaloz, i paprecedentë në historinë e qytetërimit perëndimor, ku vendimi i gjykatës ndryshohet të nesërmen nga e njëjta gjykatë, sipas interesit të kryeministrit, është dëshmia më tronditëse për kapjen totale të drejtësisë nga Edi Rama dhe grupi i strukturuar kriminal i Rilindjes.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit për të ndryshuar një vendim pa e apeluar atë dhe dhjetëra vendime te tjera antikushtetuese me reformën në drejtësi, e faktojnë Edi Ramën si armikun më të madh të drejtësisë së barabartë për të gjithë.

3 vjet pas miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët janë dëshmitarë se drejtësia private e Edi Ramës nuk ka ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë. Asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë publik, asnjë politikan nuk ka dalë para drejtësisë për vjedhjen e përditshme të shqiptarëve.

Drejtësia private që ka ndërtuar Edi Rama 3 vjet nga reforma në drejtësi është bërë mburojë e çdo pushtetari apo krimineli të lidhur me pushtetin që vjedh zgjedhjet për llogari të Edi Ramës.

Shqiptarët janë dëshmitarë të imunitetit që Edi Rama i ka dhënë Vangjush Dakos, i cili duhet të ishte sot në burg për krimin e blerjes së zgjedhjeve me krimin e organizuar.

Vetëm një drejtësi e çliruar nga diktati i Edi Ramës dhe i krimit do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, që mundësojnë qeverisje në interes të qytetarëve dhe çojnë përpara axhendën europiane të Shqipërisë.

Të fundit