Flash News

KRYESORE

‘30 janari afati i fundit për depozitat’, Veliaj porosi për administratorët e pallateve: Ndiqni këto procedura me banorët

‘30 janari afati i fundit për depozitat’, Veliaj porosi

Bashkia vendosi datën 30 janar, si afat të fundit brenda të cilit inxhinierët e liçencuar, në bashkëpunim me asambletë e bashkëpronarëve, banorët dhe administratorët, duhet të vendosin se cilët janë pallatet që nuk mund të mbajnë depozita uji në tarracat e tyre, pas tërmeteve që kanë goditur vendin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me administratorët e zgjedhur të pallateve, të cilëve u la porosi të angazhohen në procesin e heqjes së depozitave nga pallatet që përbëjnë rrezik për banorët.

Veliaj sqaroi se përmes një inxhinieri të licencuar  bëhet verifikimi në terren i gjendjes së pallateve dhe vendoset nëse këto struktura mund t’i mbajnë ose jo depozitat. Për rastet kur do të vendoset se depozitat duhet të zbriten nga tarracat, Veliaj tha se bashkia do krijojë lehtësirat e nevojshme që banorët t’i vendosin ato në katet e para.

“Afati për këtë është deri në 30 janar. Pra, në çdo pallat duhet të bëjmë një verifikim, inxhinieri mjafton të jetë i liçencuar dhe të thotë kjo mban dhe kjo s’mban, ju së bashku me banorët do t’i zbresni dhe bashkia jep leje për t’i vendosur poshtë. Pra, një hapësirë që keni poshtë pallatit mund ta rezervoni për vendosjen e një depozite të përbashkët”, tha Veliaj.

Ai shtoi se për pallatet që tashmë janë rrethuar me shirit të kuq si të pabanueshme, do të jetë bashkia ajo që do të bëjë heqjen e depozitave, ndërsa për pallatet e tjera do të jenë vetë banorët, së bashku me administratorët dhe asambletë e bashkëpronarëve që do të bëjnë zhvendosjen e tyre.

Po ashtu Veliaj tha se po punohet me prioritet në zonat më të prekura nga tërmeti në Tiranë dhe ku ka patur dëmet më të mëdha në pallate, siç është Kombinati dhe Kinostudio, dhe më pas do të vijojë kontrolli i të gjitha pallateve në Tiranë.

“Sipas inxhinierëve, 6 depozita të mbushura me ujë janë sa një shtesë kati pa leje mbi pallat. Kjo vetëm sa për të kuptuar për rrezikun që po flasim. Kjo është arsyeja pse po ndërhyjmë fillimisht në këto pallate, përpara se të vendoset nëse do të përforcohen apo nëse do të prishen, pas një studimi të thelluar. Hapi i dytë është kalimi në të gjitha pallatet e Kinostudios. Në total janë 100 pallate të identifikuara me pullë të kuqe për evakuim dhe vetëm pasi të kemi mbaruar Kombinat, Kinostudio, do shkojmë pastaj në gjithë njësitë e tjera”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, ai u bëri thirrje të gjithë administratorëve që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga fondi i Komunitetit për të meremetuar dëmet e lehta në pallate.

Të fundit