Flash News

KRYESORE

318 gazetarë të vrarë gjatë një dekade, autorët ia hodhën pa u dënuar

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka publikuar sot një studim me titull  “Si t’ia hedhësh me vrasjen”. Studimi vjen në prag të ditës ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.

Raporti thekson se gjatë dekadës së fundit, 318 gazetarë janë shënjestruar dhe vrarë për shkak të punës. Rreth 243 autorë krimesh ia hodhën pa u dënuar, raporton Zëri i Amerikës.

“Mosndëshkimi në shkallë të gjerë, dërgon mesazhin tek ata që synojnë të vrasin gazetarët se mund t’ia hedhin”, tha se Elana Beiser, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Trembëdhjetë vende përfshijnë më shumë se tre të katërtat e të gjitha vrasjeve të pazgjidhura të gazetarëve në nivel global. Lista kryesohet nga Somalia për të pestin vit me radhë. Vendi, i cili po lufton terroristët e grupit militant al-Shabaab, ka 25 vrasje të pazgjidhura të gazetarëve.

Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Filipinet rrumbullakojnë pesë vendet e para ku këto krime kalojnë të pandëshkuara.

Meksika që është vendi më vdekjeprurës për gazetarët gjatë këtij viti kur janë vrarë pesë gazetarë. Ajo mban vendin e shtatë në treguesin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Raporti ngre shqetësimet se rajonet që dikur konsideroheshin të sigurta për mediet, po shohin dhunë ndaj gazetarëve. Raporti përmend vrasjen e gazetares në Maltë në vitin 2017 dhe atë të gazetarit sllovak më 2018, për të cilët nuk ka pasur të dënuar./VOA

Të fundit