Flash News

KRYESORE

330 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin në 7 vitet e fundit; zhduket një qark sa Fieri

330 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin në 7 vitet e

Në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë.

Të dhënat janë bërë publike sot nga një grafik i INSTAT, duke treguar faktin e dhimbshëm se 28 vjet pasi u shënua vala e parë e emigrimit, shqiptarët ende duan të ikin dhe shumë pak duan të kthehen, raporton 'Monitor'.

Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur një rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur.

Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri  i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen.

Në shtatë vitet e fundit, njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Më pas renditet qarku i Durrësi me 285 mijë.

Emigracioni, së bashku me rënien e lindshmërisë janë arsyet kryesore që po çojnë në tkurrjen e popullsisë. Instat raportoi sot se  me 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë  2018, rezultoi 2.870.324 banorë duke pësuar një rënie me 0,2 % krahasuar me 1 Janar 2017.

INSTAT sqaron se Migracioni Neto (Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi) është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë INSTAT thotë se përdor të dhënat më të mira ’proxy’ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientet e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.

Të fundit