Flash News

KRYESORE

46 vjetori i revoltës së Spaçit, Lulzim Basha: Betimi i heronjve është në fuqi edhe sot

46 vjetori i revoltës së Spaçit, Lulzim Basha: Betimi i

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një mesazhi ka përkujtuar 46 vjetorin e revoltës në burgun famëkeq të Spaçit. Ato dy ditë lire, thotë Basha, ishin më të rëndësishme se e gjithë propaganda e diktaturës sepse rrëfejnë betimin e shqiptarëve për të mos pranuar asnjëherë diktaturën dhe dhunën.

Ai thekson se betimi i të burgosurve të Spaçit është në fuqi edhe sot, pasi Shqipërinë e konsideron të kontrolluar nga ‘diktatura e krimit’.

“Unë jam krenar që në këtë betejë, Partia Demokratike e Shqipërisë është në anën e duhur të historisë, është në nderim të vlerave për të cilat dhanë jetën heronjtë e Spaçit, është në ballë të saj për të mos bërë asnjë kompromis në rrugëtimin tonë drejt Europës”, shkruan ndër të tjera Basha.

Më 21 maj 1973, në burgun e Spaçit nisi një revoltë kundër sistemit komunist. Të burgosurit politikë ngritën flamurin kuq e zi pa yllin komunist dhe bënë thirrje kundër regjimit të Enver Hoxhës. Revolta u shtyp nga forcat e ushtrisë dhe midis të vrarëve ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës

Sot kujtojmë me nderimin më të thellë revoltën madhështore të Spaçit! Ato 2 ditë lirie në Burgun e Spaçit ishin më të rëndësishme se e gjithë propaganda e diktaturës sepse rrëfejnë betimin e shqiptarëve për të mos pranuar asnjëherë diktaturën dhe dhunën.

Ky betim është në fuqi edhe sot. Nuk ka ditë më domethënëse se 46-vjetori i revoltës së Spaçit, për të ftuar çdo shqiptar që e do Shqipërinë të lirë nga diktatura e krimit, që t’i qëndrojë besnik betimit për të mos pranuar mbi vete asnjë diktator apo karikaturë diktatori, që mban peng të ardhmen tonë Europiane.

Unë jam krenar që në këtë betejë, Partia Demokratike e Shqipërisë është në anën e duhur të historisë, është në nderim të vlerave për të cilat dhanë jetën heronjtë e Spaçit, është në ballë të saj për të mos bërë asnjë kompromis në rrugëtimin tonë drejt Europës.

Nderim përjetë Heronjve Kryengritës të Revoltës së Spaçit! Zoti bekoftë shpirtrat e tyre dhe çdo shqiptar që ngrihet kundër së keqes!

Të fundit