Flash News

KRYESORE

5 ditë pushim për administratën, Artan Fuga: Zgjohuni se na trashët! Barkederra! Trudhjamur!

5 ditë pushim për administratën, Artan Fuga: Zgjohuni se na

Akademiku Artan Fuga e konsideron përpjekje për të “squllur kombin” vendimin e Qeverisë për t’i dhënë 5 ditë pushim administratës shtetërore. Fuga thotë se shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, t'i kthehen punës të vërtetë, të zhdërvjelltësohen e të rimarrin nervin e të punuarit.

Sipas Fugës, me këtë vendim e pëson populli që nuk merr dot shërbimet dhe se pushimet nuk i shërbejnë askujt, pasi bujqit janë në punë, tregtarët e vegjël dhe punonjësit në privat po ashtu.

“Më vjen turp që e detyrojnë kombin të shtriqet e dimërojë në gjumë me ditë të tëra, sikur me qenë dembel që shtrihet nën hijen e shelgut dhe fle si derr”, shkruan ai.

Përveç pushimeve të fundjavës, administrata do të jetë pushim edhe në datë 29 prill, pasi festa e pashkëve bie e dielë. Por duke qenë se 1 maji, dita e punëtorëve bie e martë, edhe e hëna i është dhënë pushim administratës, për t’u rikthyer në punë më 2 maj, të enjten.

Reagimi i plotë i Artan Fugës:

Kombsqullje në ditë pushimesh

-------------------------

C'na kënaqën me këtë fundjavën e gjatë me pushime deri në dy maj!

E kënaqën administratën që në vend t'i shërbejë qytetarëve shkërmoqet, shullehet, shtrihet, në ditë pushimesh pa fund!

Shpërblim se kanë punuar shumë të shkretët, u drobitën fare!

E pëson populli që nuk merr shërbimet e duhura!

Se të papunët, ç't'i duan pushimet!

Bujqit, poashtu, c't'i duan!

Tregtarët e vegjël, ç't'i duan!

Ata punojnë.

Edhe puntorët te privati punojnë!

Administrata shullehet!!! Lajnë lëvere nja pesë a pesëdhjetë ditë. Mileti strapacohet për të marrë shërbime!

Më vjen turp që e detyrojnë kombin të shtriqet e dimërojë në gjumë me ditë të tëra, sikur me qenë dembel që shtrihet nën hijen e shelgut dhe fle si derr.

Dita e ballakumes.

Dita e 1 majit!

Dita e sheqerpares!

Dita e rrenave!

Jo po bëjmë të hënën pushim sepse e djela që bie pushim ishte pushim!

Ore zgjohuni se na trashët!

Barkederra!

Trudhjamur!

Merhumër!

Jemi bërë si toger Shazivari te Kongres në vitin 1936!

Gëzojmë pashkët ortodokse të djelën dhe të hënën në punë, ja kaq!

Ndërkohë që kemi nevojë të zgjohemi, t'i kthehemi punës të vërtetë, të zhdërvjelltësohemi et të rimarrin nervin e të punuarit.

Kush do të na squlli si komb!

Të fundit