Flash News

KRYESORE

5 përgjigje për 5 pikat e Ramës, studentët i përgjigjen kryeministrit: Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!

Pasditen e sotme kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetin social Twitter sa i takon protestës së zhvilluar nga studentët.

Rama renditi pesë pika, që sipas tij, janë e vërteta për këtë çështje.

Për këtë qëndrim të kreut të qeverisë, ka reaguar lëvizja ‘Për Universitetin’, e cila i është përgjigjur pesë pikave të renditura nga Rama.

Lëvizja “Për Universitetin”, i kujton Ramës se nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria dhe se ndryshe nga sa shprehet kryeministri, në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht.

“Për Universitetin”, i sjell gjithashtu në vëmendje kreut të qeverisë se ndryshimin se VKM-së e bën autoriteti që e ka hartuar dhe jo universiteti.

Postimi i plotë

Përgjigje kryeministrit:

  1. Nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Rrisni buxhetin dhe ulni tavanin! Pastaj universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave.
  2. Në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht. Përveç kësaj, ne kërkojmë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas. E kupton logjikën apo ke nevojë për një orë leksioni?!
  3. Ne nuk jemi mbetës. Jemi mijëra studentë që punojmë dhe studiojmë fort. Prandaj shumë prej nesh zgjedhin t’i shtyjnë provimet, që të kemi mundësi të studiojmë më shumë.
  4. Ne do të jemi gjallë edhe vitin tjetër. Siç do të futen në universitete dhjetëra mijëra studentë të tjerë. Ne luftojmë edhe për ta.
  5. Rishikimin e v.k.m. e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet. Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!

 

Të fundit