Flash News

KRYESORE

58 milion dollarë për 15 km, kompania e akuzuar nga Partia Socialiste favorite për koncesionin e rrugës Orikum – Dukat

58 milion dollarë për 15 km, kompania e akuzuar nga Partia Socialiste

Nga L. Cecja

Qeveria do të investojë për ndërtimin e një tjetër aksi rrugor që do të lidhë Vlorën me zonën e plazheve, i cila është projekti i katërt i paketës 1 milard euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur zyrtarisht garën për zhvillimin e projektit me gjatësi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve dhe Bypassin e Orikumit me Dukatin.

Ndërtimi i këtij aksi të ri, i cili më pas do të krijojë mundësi që rruga të zhvillohet më tej për të shmangur tërësisht pjesën malore të Qafës së Llogarasë, do të kushtojë 6.3 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe afërsisht 58 milion dollarë.

Propozimin e pakërkuar për ndërtimin e kësaj rruge, e ka dorëzuar kompania Gjikuria sh.p.k., e cila u shpërblye disa javë më parë nga qeveria me 6 pikë bonus në garë për studimin e fizibilitetit.

Megjithatë, kjo kompani rezulton të jetë pjesë e një ‘listë të zezë’ me 328 subjekte të publikuar në maj nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ku ‘Gjikuria sh.p.k’ renditej në vendin e 78-të.

Lame gjatë një konferencë për shtyp theksoi se listën t’ua dergonte Bashkive, Drejtorisë së Tatimeve; Agjensisë së Zhvillimit të Territorit dhe Shoqatës Ndërtuesve duke kërkuar që këto shoqëri apo këta persona, të mos pajisen me leje të reja ndërtimi, pa shlyer detyrimet dhe pa mbyllur procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndërtuara prej tyre.

Sa i takon formës së investimit, do të jetë përmes formulës partneritet-publik-privat (PPP), ku paratë do t’i japë fillimisht kompania që do të dalë fituese në tender, e do të shlyhen në vite nga buxheti.

Aktualisht rruga Orikum – Dukat ka një gjatësi prej 16 kilometrash, por gjendja e saj dhe situata e rrëshqitjeve në shumë ditë të vitit bllokojnë automjetet dhe kufizojnë korsitë ku kalojnë ato.

Të fundit