Flash News

KRYESORE

6 përballje terminatorësh: beteja mes Ramës dhe Bashës më 30 qershor. Emrat që pritet të ndryshojnë politikën

2019-ta është një vit zgjedhor. Në 30 qershor, 61 bashkitë e vendit do të mësojnë se kush do të jenë njerëzit të cilët do t’i drejtojnë në katër vitet e ardhshme.

Emrat e kandidatëve që do të hidhen në garë përbëjnë padyshim pjesën e kureshtjes së opinionin, por për ta zgjatur sa më shumë këtë situatë mendojnë partitë politike.

Gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve, asnjë prej kampeve nuk ka zyrtarizuar asnjë emër kandidati, megjithatë Politiko.al po bën një listim të emrave për të cilët “kanë dal zëra” se do të veshin petkun e kandidatit për t’u hedhur në betejën e 30 qershorit.

Tirana

Socialistët duket se po shkojnë drejt një konfirmimi të Erion Veliajt për një mandat të dytë në Bashkinë e Tiranës. Por emrit të tij, i bën hije Ogerta Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë ka rritur ndjeshëm kuotat dhe zëra se Rama do të vendos emrin e saj në garën për bashkinë më të madhe në vend, janë shtuar ndjeshëm. Duket se gara se kush do të jetë kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, nëse do të ketë një të tillë në kampin e socialistëve, me gjasë do të zhvillohet mes të dyve. Nga ana tjetër, opozita ka qenë më e rezervuar sa i takon emrave të kandidatëve për zgjedhjet vendore. Për Tiranën janë lakuar disa emra, Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Klajda Gjosha dhe Ylli Manjani. Dhe në këtë listë, më të favorizuarit shihen dy emrat e parë, Shehi dhe Tabaku.

Shkodra

Në Bashkinë më të madhe të veriut, duket se gara do të jetë e ngjashme me atë të vitit 2015 pasi të dyja kampet pritet të garojë me kandidate femra. Demokratët, këtë radhë edhe me LSI-në dhe PDIU-në, me gjasë do të kërkojnë një mandat të dytë për Voltana Ademin. Ndërsa, nga ana tjetër, flitet se socialistët do të tentojnë të fitojnë, bashkinë basion të së djathtës, me Senida Mesin, e cila u shkarkua nga detyra e zëvendëskryeministres në Asamblenë e fundit të Partisë Socialiste.

Durrësi

Emri i socialistëve për Bashkinë e Durrësit lidhet me emrin e Vangjush Dakos. Asnjë prej socialistëve, përfshi edhe Ramën, nuk është shprehur ende nëse Dako do të garojë për të katërtën herë për postin e kryebashkiakut, apo do të hap rrugën për një emër të ri. Nëse kryebashkiaku aktual nuk do të garojë, në qarqe të ngushta flitet se emri i ri do të jetë një i besuar i tij, dhe ai që lakohet më shumë është Ardian Çela, ish-nënkryetari i Bashkisë, aktualisht drejtor i OSHEE-së. Sa i takon opozitës, rikthimi i Gazmend Oketës në Partinë Demokratike ka bërë që të qarkullojnë zëra se do të jetë ai kandidati i së djathtës për postin e kryebashkiakut të Durrësit.

Elbasan

Nëse për Dakon ka ende pikëpyetje nëse do të kandidojë sërish apo jo, ndryshe është me Qazim Sejdinin, i cili është thuajse zyrtarisht jashtë garës për një mandat të katërt për postin e kryebashkiakut të Elbasanit. Emri më i lakuar, me të cilin socialistët do të kërkojnë të ruajnë drejtimin e bashkisë, është ai i Evis Kushit, deputete e qarkut në fjalë. Nga ana tjetër, ish-kreu i degës së PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi, ka vetëshpallur kandidaturën për Bashkinë e këtij qyteti por nuk dihet ende nëse opozita do të mbështes kandidaturën e tij apo do të ketë një tjetër emër.

Fier

Për Bashkinë e Fierit, duket se po shkon drejt zyrtarizimit për një mandat të dytë Armando Subashi. Kryebashkiaku aktual thuhet se gëzon mbështetjen e Ramës por edhe të Gramoz Ruçit dhe kaq mjafton për të marrë “bekimin” për të qenë sërish në garë. Sa i takon opozitës, deputeti demokrat Luan Baçi shihet si një prej emrave që mund të rivalizojë për të marrë drejtimin e bashkisë që njihet si basion i PS-së. Së fundmi, Baçi u rizgjodh edhe kryetar i degës së PD-së Fier duke fituar me diferencë të madhe votash ndaj rivalit të tij.

Vlora

Ashtu si në Shkodër, edhe në Vlorë gara mund të jetë mes dy kandidateve femra. Dritan Leli duket se nuk e gëzon më mbështetjen e drejtuesve të PS-së dhe vështirë se do të rikandidohet sërish. Emri që shihet si favorit për të zëvendësuar atë është ai i Vilma Bellos, aktualisht deputete e Vlorës. Nga ana tjetër, me shumë mundësi edhe demokratët do të hedhin në garë për Bashkinë e Vlorës një grua dhe emri më i lakuar është ai i deputetes Nada Meçorapaj.

 

Të fundit