Flash News
Grupi parlamentar i PD dorëzon në Kuvend propozimin: Pensioni të rritet në 300 euro
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Alfred Lela
Procesi zgjedhor; Basha ndahet nga Basha
Ndryshe nga më parë, kryetari i PD doli para medias duke shpallur listën e tij të kandidaturave, si për Sekretariatin ashtu edhe për Kryesinë e partisë. Krejt ndryshe nga procesi i mbyllur i vendimit dhe i shpalljes së listave për kandidatët për deputetë në maj 2017, Basha zgjodhi një formë të drejtpërdrejtë, transparente dhe mundësidhënëse për kandidatët, për t'u përgatitur dhe për të lobuar për një vend në 'hierarki'.
Gjithashtu, gjatë procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së fituesve, u vu re një distancë e kryetarit Demokrat duke e lënë kështu garën të rrjedhë.
Ndarja e pushteteve; 'teknikët' në vend të 'politikëve'
Kryetari Demokrat ka zgjedhur një 'skemë gjermane', atë të partisë simotër Kristian-Demokrate- CDU, për të krijuar një ndarje të qartë pushtetesh në parti duke barazpeshuar mes pushtetit të brendshëm partiak, atij parlamentar dhe ekzekutiv (në rast se PD vjen në pushtet). Një ide e kahershme e Bashës rreth së cilës ai nuk ka treguar shumë siguri, por te e cila është kthyer, më në fund, me zgjedhjet e fundit.
Kështu, shefi i selisë blu ka vendosur që 'kabinetin' e PD ta formojë me 'teknicienë' duke u përqendruar te juristët, dhe duke zgjedhur ndër ta dy njerëz të përgatitur dhe me përvojë të jurisprudencës, Çlirim Gjatën dhe Gazment Bardhin.
Sekretarët e partisë, nëse vazhdon me 'skemën gjermane', do të jenë edhe pjesë e kabinetit të kryeminstrit të ardhshëm Basha (jo qeverisë). Skema është inteligjente sepse nuk mbivendos autoritete dhe e decentralizon pushtetin. Eshtë e panevojshme që, siç ndodh rëndom, tre rrafshe pushteti të përqendrohen te një individ, apo disa pak duar, duke e zmadhuar gamën e përjashtimeve dhe të pakënaqësive në parti.
Tomor Alizoti, kritiku i pranuar
Kandidimi që Basha i bëri Tomor Alizotit për Kryesinë e partisë dhe fakti që ai mori më të shumtat e votave në garën e ashpër për 10 vende (5 të tjera u ndanë për kuotat gjinore duke u kaluar grave Demokrate), është shenjë e hapjes së partisë. Alizoti ka kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryetarit të PD, por në ndryshim nga kundërshtarët e tjerë të Bashës, nuk e ka kaluar vijën logjike që ndan 'politiken' nga 'personalja'. Shumë të tjerë janë 'zhgërryer' në baltën e personalizimeve, dhe pak rëndësi ka nëse kanë patur të drejtë ose jo.
Alizoti është një lajm i mirë për Partinë Demokratike, si pasardhës i një familjeje fisnike, të persekutuar, por edhe si një i ri i arsimuar dhe 'soft spoken'. Të përndjekurit politikë e kanë tashmë një përfaqësues në majë të hierarkisë së PD.
Si nuk qahet kurrë ky Fitim Zekthi?!
Fitim Zekthin e mbaj mend të nesërmen e shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë, tek merrte e jepte me dy eksponentë të PD, në zyrën e njërit prej tyre. Nuk ka rëndësi dialogu mes tyre atë ditë zhegu që e shihte Fitimin si një numër ashpërsisht jofitues në listën e Elbasanit, dhe dy bashkëbiseduesit e tij në 'vende pëllumbash' në Korçë dhe Tiranë. Fitimi ishte mes 'humbësve' në listat e qershorit duke mbetur megjithatë, ndër të vetmit, ndoshta fillikat i vetëm, që nuk u mrrol dhe as u ankua, nuk iu hakërrye Bashës, nuk e sulmoi mediatikisht, nuk bëri finte se pse nuk e 'listoi' deputet.
Ai u përball sërish me fatin 'e humbësit' kur nuk u fut në 15-shen e Kryesisë, edhe pse u kandidua nga Basha. Sërish i njëjti luajalitet, edhe pse mbetet njeriu që nuk ia ka 'parë hajrin' PD. Vetëm e ka mbështetur këtë forcë, duke qenë një prej 3-4 mendjeve të vetme që mund të prodhojnë ideologji për Partinë Demokratike dhe të djathtën. PD nuk është se mban shënime për Fitimin, duke qenë se, përgjithësisht, mbetet formacion ku nuk rritet 'pema e mirënjohjes'.
Dorëheqja e Ervin Salianjit ose 'kompleksi i grabitqarit'
Ervin Salianji, deputet i PD dhe Sekretar i grupit parlamentar, dha dorëheqjen pas pamundësisë për të qenë pjesë e Kryesisë Demokrate. Pavarësisht shtresave kamufluese në tekstin që 'i dorëzoi' statusit në Facebook, ndihej pakënaqësia për 'ngecjen' në rrjetën që e linte jashtë 'Byrosë Politike' të PD.
Gabimet ishin dy dhe kanë të bëjnë të dyja me papjekurinë, ose me atë që mund të konsiderohet si 'kompleksi i grabitqarit'. I pari gabim është politik, mospajtimi me një skemë reformatore të prezantuar nga Basha, e cila mundohet të bëjë një 'ndarje të pushteteve'. I dyti është karakterial dhe lidhet me lakminë. Salianji, ndër prurjet e reja të Bashës në PD, duhej të tregonte masë dhe maturi me karrigen e parlamentarit të dhe ofiqin e Sekretarit të grupit të PD, të cilat bëhen edhe më të rënda duke patur parasysh moshën.
Ajo heshtje ftohtë e Topallit, Patozit, Bregut, etj.
Në çdo veprim të Bashës dhe çdo zhvillim në PD, të parët në reagime dhe në pretendime, kanë qenë ish-hierarkët Demokratë, Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu. Këtë radhë të tre kanë heshtur. Nëse zonja Bregu ka një 'spaletë' europiane dhe kjo i detyron heshtje, zonja Topalli dhe zoti Patozi nuk i kanë këto shtrëngesa.
Nuk ia kam idenë heshtjes së tyre, por ndoshta kanë parë të zgjedhjet e Bashës një zgjatim të PD që ata duan. Është lajm i mirë nëse sulmet e tyre kanë ndalur, sepse në çdo rast krijojnë zhurmë dhe paqartësi ndaj PD dhe ndihmojnë Ramën.
'Ekipi Basha', më në fund, është këtu
Krerët lokalë të Partisë Demokratike, Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Sekretariati janë tashmë të plotësuara, dhe Basha u ka hequr kritikëve një shigjetë nga harku i goditjeve. Partia Demokratike, të paktën formalisht, është një makinë gati për t'u nisur drejt 'rrugëtimit politik' me të gjitha pjesët në vend. 'Ekipi Basha', që ka qenë, në fakt, një paqartësi dhe mungesë që e bënte kryetarin e PD të dukej i pavendosur dhe joekzekutiv, është më në fund i plotë, në këmbë, bindës dhe premtues.
Me pak fjalë, këta janë njerëzit, ky është kryetari, dhe përpara janë kundërshtarët bashkë me betejat politike.