Flash News

KRYESORE

80 të zhdukur në Vlorë, reagojnë Policia dhe Prokuroria: Numri total është 23; krimet kanë rënë me 50%

80 të zhdukur në Vlorë, reagojnë Policia dhe Prokuroria:

Policia dhe Prokuroria e Vlorës kanë publikuar një deklaratë të përbashkët sa i përket akuzave se në Vlorë janë zhdukur rreth 80 persona në vitet e fundit. Duke iu referuar deklaratave të Partisë Demokratike dhe një reportazhi të publikuar nga Top Channel, Policia dhe Prokuroria pretendojnë për një numër shumë më të vogël të të zhdukurve.

“Në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Në 2016 - 4 shtetas të larguar; në 2017 - 6 shtetas të larguar; në 2018 - 13 shtetas të larguar. Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer. Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre”, thuhet në reagim.

Këto dy institucione iu referohen edhe statistikave të vitit të fundit kur deklarojnë se krimet kundër personit kanë shënuar ulje të ndjeshme.

“Gjithashtu, përsa i përket veprave penale kundër personit, bëjmë me dije se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme, konkretisht: Nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018. Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara. Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajten e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

Opozita dhe gazetarët raportojnë se zhdukjet e shumta në qytetin e Vlorës lidhen me trafikun e kanabisit drejt Italisë.

Të fundit