Flash News

KRYESORE

A do e shpërndajë presidenti Parlamentin? Meta letër KQZ-së: Sa deputetë ka aktualisht në Kuvend?

Presidenti Ilir Meta ka vijuar lëvizjen e radhës pas shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ndërsa një ditë më parë në Kuvend u votua nga 100 deputetë rezoluta kundër këtij vendimi.

Pas zërave se presidenti ka në dorë edhe të shpërndajë parlamentin, sot, Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ku i kërkon informacion të detajuar për numrin aktual të deputetëve.

“KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kuvendin e Shqipërisë më 25 06 2017 dhe ka miratuar numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve të zgjedhur në cdo zonë zgjedhore për cdo subjekt dhe numrin e mandateve dhe listën emërore të të deputetëve të zgjedhur në shkallë vendi.

Në muajin shkurt 2019 deputetët e partive opozitare kanë deklaruar publikisht dhe kanë depozituar pranë Kuvendit dorëheqjet në bllok nga ushtrimi i mandateve si deputetë.

Sekretari i Përgjithshëm pa vonesë ka njoftuar KQZ për krijimin e vakancave në Kuvend nga dorëheqjet.

KQZ ka marrë vendimet për dhënien e mandateve të deputetëve të Kuvendit për kandidatët sipas listës shumëemërore të cdo subjekti zgjedhor për çdo zonë zgjedhore.

Referuar vendimmarrjeve të deritanishme nga KQZ për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr dhe dhënien e mandateve sipas listës emërore, presidenti i republikës kërkon nga ana juaj një informacion dhe të dhëna të sakta:

Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit në shkallë vendi?

Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë për cdo zonë zgjedhore për cdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”, thuhet në letrën e presidentit drejtuar KQZ-së.

Letra:

Lexo edhe: A mundet Kuvendi të shkarkojë Presidentin e Republikës? Juristi: Meta mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme

Të fundit