Flash News

KRYESORE

A do ketë arrestime për jetët e humbura nga tërmeti? Çela: Kush ka shkelur ligjin do mbajë përgjegjësi, qoftë ndërtues apo zyrtar

A do ketë arrestime për jetët e humbura nga tërmeti?

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ashtu siç sqaroi edhe dje gjatë marrjes zyrtare të detyrës, e ka nisur punën nga hetimet për tërmetin e 26 nëntorit.

Vizitën e parë e kreu në Durrës, lidhur me hetimet që po kryhen për pasojat e shkaktuara nga tërmeti.

“Qëllimi i vizitës lidhej patjetër me situatën pas tërmetit. Prokuroria e Durrësit është duke kryer hetime në raport me ngjarjet e ndodhura, është ngritur një grup hetimor.

Situata është pak a shumë e qartë, puna e bërë është mjaft e mirë. Jam i kënaqur me ato që dëgjova. Prokurorët janë të motivuar dhe besoj se shumë shpejt rezultatet e do jenë të prekshme.

Jemi koshientë për atë që ka ndodhur. Individë të papërgjegjshëm duke kryer veprime të caktuar me koshiencë kanë shkelur ligjin dhe pasoja e ardhur është vdekja e shumë personave.

Në këtë kuadër, besoj se reagimi i prokurorisë do jetë korrekt dhe i prerë dhe do kemi rezultate të qarta për hetimin.

Nga hetimi po dalin probleme të caktuara me legjislacionin në fuqi, me rregullimet e mangësitë që ka.

Në këto kushte, hetimi do shërbejë për të propozuar edhe ndryshime të rëndësishme në ligj që ngjarje të tilla mos të përsëriten”, tha Çela.

I pyetur nëse do të ketë arrestime të pritshme prej këtyre hetimeve, kryeprokurori la të kuptohej se është konstatuar se ka persona që kanë shkelur ligjin, duke sjellë pasoja fatale për 51 jetë të humbura, qofshin ndërtues apo zyrtarë.

“Këto janë vendime që i marrin prokurorët, ata janë të pavarur, por ka njerëz që kanë shkelur ligjin, se për pasojë shumë njerëz që kanë humbur jetën apo janë plagosur dhe patjetër që përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale, qoftë te ndërtuesi apo zyrtari kudo kujt i përket”, u shpreh Çela nga Durrësi.

Të fundit