Flash News

KRYESORE

A duhet të kandidojë sërish Berisha për PD në 2021-shin? Genc Ruli e thotë prerë: E ka marrë lavdinë!

Anëtari i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë në PD, Genc Ruli, është rikthyer në mesin e demokratëve 3 vjet pas kritikave të ashpra ndaj liderit të tyre të ri, Lulzim Bashës.

Në një intervistë për ABC News, i pyetur nëse do të vijoj të jetë pjesë e PD në angazhime të mëtejshme, Ruli tregon se nuk ka më ambicie politike, për këtë arsye ai nuk do të rikthehet në politikën aktive.

“Shërbimin tim në përzgjedhje të kandidaturave më të mira për konfrontimin e ardhshëm elektoral e quaj edhe si një detyrim moral që kam ndaj PD-së”, është shprehur Ruli, ndërsa vijon: “Unë përsëri nuk do të kandidojë për t’u zgjedhur deputet, nuk do të pretendojë për të marrë pjesë në ekipet qeverisëse të PD-së.”

Ruli tha se dosjet e kandidatëve të propozuar ende nuk i janë vënë në dispozicion Komisionit të Vlerësimit, megjithatë, sipas tij eksperienca, karriera në PD, qëndrimet që kanë mbajtur këto figura, sidomos në momentet kyçe të betejave politike, duhet të prevalojnë ndaj prurjeve të reja.

Komisioni nuk do të jap një mendim për kupolën drejtuese të demokratëve, përfshi këtu ish-kryeministrat, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm apo figurat historike të kësaj partie, gjithsesi Genc Ruli lë të kuptohet se Berisha e ka marrë tashmë lavdinë nga politika.

“Lavdia e zotit Berisha do të mjaftonte për dy jetë, jo për një, por ai është një njeri energjik, pa diskutim. Por i takon atij të shprehet për këtë gjë. Secili duhet të dijë ta ruajë vetë lavdinë dhe shkëlqimin e tij. Ti vendos që karriera ime politike ka qenë e vrullshme, ka kaluar në të gjitha kulmet e saj, sot është dita që unë ta mbyll, për të mos ta mbyllur të tjerët ty”, është shprehur Ruli.

Të fundit