Flash News

OP-ED

“A është përgjegjëse qeveria?” Një përgjigje për Aljazeera-n në vend të Elisa Spiropalit

“A është përgjegjëse qeveria?” Një

Marsel Lela

Zor se mund të mendohet ndonjë situatë më absurde, më qesharake dhe më e trishtë se ajo në të cilën gjendet sot Shqipëria.

Me të drejtë historiani zviceran Oliver Schmitt e quan “një udhëtim i Shqipërisë në të kaluarën”.

Jo vetëm në të kaluarën komuniste. Ky është një kthim pas në epokën haxhiqamiliste. Rama e përdor këtë term sot për të qesëndisur presidentin Meta, por në fakt njeriu që e personifikon më së miri sot katundarin që la koshin me speca për të bërë një “revolucion fshatar”, është vetë kryeministri.

E keqja është se Rama duket se nuk ndjen kurrëfarë përgjegjësie për këtë. Madje ai e sheh gjithçka të keqe të distancuar nga vetja, për të cilën fajtor është gjithnjë dikush tjetër.

Një e keqe e madhe është se, edhe ata që janë pranë Ramës në qeveri kanë mësuar të mendojnë si ai. Kështu, përgjegjësia mbetet gjithmonë jetime, në mos “fajin e ka Saliu” (sot opozita).

Pak ditë më parë televizioni Aljazeera i kushtoi një edicion special prej afro 30 minutash situatës politike në Shqipëri. Duke iu referuar faktit nëse do të bëheshin apo jo zgjedhjet në 30 qershor, specialja mbante titullin “A do ta braktisë Shqipëria demokracinë?”

Në lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Aljazeera-s ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

E drojtur dhe e ngadaltë në të folur përballë dy gazetareve “shpuzë” që i kërkonin përgjigje të drejtpërdrejta për pyetje po aq të drejtpërdrejta, Spiropali mund të ketë menduar “si nuk kam zgjedhur një zanat më të lehtë, si p.sh hedhja me parashutë?”

Të dyja moderatoret që drejtonin këtë edicion i bënë tri herë të njëjtën pyetje Spiropalit: “A mban përgjegjësi qeveria qoftë edhe për njërën prej akuzave që i janë bërë?”

Gazetaret e Aljazeera-s i referoheshin me këtë akuzave të opozitës dhe përgjimeve të prokurorisë të publikuara nga gazeta gjermane, BILD.

Në të tria rastet, Spiropali refuzoi të përgjigjej, herë duke bërë sikur nuk  dëgjonte pyetjen, e herë duke devijuar me retorikën e zakonshme, “fajin për situatën e ka opozita”.

Në fund përgjigja e saj ishte se ato akuza nuk ishin bërë nga prokuroria, por nga “gojët e liga” opozitare.

Në mungesë të një përgjigjeje nga ministrja Spiropali pyetjes së gazetareve të Aljazeera-s se, “a mban përgjegjësi qeveria qoftë edhe për një nga akuzat që i janë bërë?”, shkruesi i këtyre radhëve e ndjen për detyrë, qoftë si gazetar, qoftë si qytetar, t’i japë një përgjigje.

Po, qeveria mban përgjegjësi, jo për një, po për shumë akuza, të cilat nuk janë vetëm akuza, por fakte. Kam rreshtuar më poshtë vetëm pesë prej tyre.

Së pari është manipulimi dhe vjedhja e votave në zgjedhjet e vitit 2016 dhe 2017, faktuar nga përgjimet e BILD, ku njëri prej protagonistëve është vetë kryeministri Rama.

Së dyti është shantazhi ndaj qytetarëve që nuk votojnë PS-në, publikuar po nga përgjimet BILD.

Së treti, regjistrimi i një partie të re (Partia Bindja Demokratike) jashtë çdo afati të lejuar nga ligji.

Së katërti, KQZ-ja arrin deri aty sa merr guximin të analizojë e mos zbatojë një dekret Presidenti, por përkundrazi, ta shpallë atë nul.

Dhe së pesti, Shqipëria nuk mund të hyjë në zgjedhje dhe në rrugën e normalitetit, pa përfunduar hetimi i dosjes 339 dhe 184 që ‘flenë’ në tryezën e kryeprokurores Arta  Marku.

Nëse një qeveri nuk mban përgjegjësi për shkelje të tilla ligjore, atëhere titulli i edicionit special të Aljazeera-s për krizën politike në vend, “A po e braktis Shqipëria demokracinë?”, nuk është më një pyetje, por fakt.

Të fundit