Flash News

OP-ED

A janë artistë apo hallexhinj?

A janë artistë apo hallexhinj?

Fitim Zekthi

Gjatë viteve 1914 dhe 1918, kur Europa po digjej nga Lufta e parë Botërore, dhe kur Franca ishte zhytur në llucën dhe gjakun që derdhnin ushtarët dhe populli i saj kanaleve të fushëbetejave si Verduni, Claude Monet pikturonte në kopshtin e tij në Giverny zambakë uji. Ndërsa në vitin 1940, kur kur Gjermania naziste sulmoi dhe pushtoi Francën, Henry Matisse përpiqej me dëshpërim të kapte shkëlqimin e të bardhës së lehtë dhe të verdhës së fortë të fushave të Floriac dhe ta hidhte në kanavacë.

Këto janë dy raste kur artistë të mëdhenj duket sikur nuk duan t’ia dinë për atë që ndodh, për mjerimin apo dhunën, për tmerrin e luftës apo për fatkeqesinë që sjellin pushtetet politike, regjimet politike, interesat politike.

Bota ka zhvilluar gjithnjë debat, prej shekujsh, nëse artistët, nëse arti duhet të përzihet me politikën, duhet të jetë i angazhuar, duhet të mbajë qëndrim ndaj regjimit apo sistemit politik, duhet të luftojë kundër një regjimi apo akti politik të dëmshëm dhe të padrejtë.

Shumica e arstistëve, piktorë, aktorë, regjisorë, shkrimtarë, etj., kanë mbrojtur idenë se arti dhe artistët duhet të jenë të angazhuar, duhet të jenë në ballë madje, të luftës kundër dhunës, kundër padrejtësisë, kundër regjimeve apo sistemeve politike autoritare, diktatoriale apo totalitare, kundër vendimeve të tyre në dëm të shoqërisë dhe njerëzve.

Janë të pafundme rastet kur shkrimtarë, aktorë, piktorë, skulptorë kanë bërë vepra që godasin vendime, ide, akte politike. Janë të panumërta rastet kur artistët kanë qenë në ballë të protestave, demonstratave apo në luftëra kundër abuzimit të pushtetit, kundër regjimeve politike të korruptuara, kundër dhunës, diktaturës, vjedhjes.

Teoricienët e artit, por edhe vetë artistët, i shohin të dyja format e sjelljes edhe ato të artit dhe veprave të angazhuara drejtpëdrejt kundër tiranisë, dhunës, korrupsionit, krimit politik edhe atë të piktorëve Monet  dhe Mattise, si të lidhura me politikën, të lidhura me idealin njerëzor për të ndryshuar botën dhe për ta bërë atë një vend më të mirë.

Ka shumë artistë dhe teoricienë të artit që thonë se Matiise dhe Monet, me dedikikim e tyre ndaj ngjyrave, dritës, të bukurës, sublimes, etj., kanë bërë që ditë si ato të Luftës së Parë apo të Luftës së Dytë Botërore të jenë më të shkurtra, që njerëzit, idetë apo regjimet politike që i pjellin ato luftëra dhe krime të jenë më të pakët, apo ta kenë më të vështirë t’i përsërisin ato krime.

Identiteti i një njeriu përkufizohet nga idetë, dhe arti një nga mekanizmat bazë që i jetëson ato. Oskar Ëilde thoshte se “arti as përkufizohet, as bëhet sipas rregullave, as homogjenizohet, ai është forma më intensive e individualizmit. Është dëshmi e historisë që i paraprin atij, e ambientit që e ngjiz dhe e ngjarjeve që e frymëzojnë. Me fjalë të tjera, arti është armiku më i keq i tiranëve”.

Regjimet diktatoriale, totalitare apo tiranike janë përpjekur gjithnjë ta zhbëjnë artin, ta përdorin  atë, ta kthejnë në një mjet qeshark propaganda, por janë përpjekur gjithashtu edhe t’i përdorin artistët dhe t’i bëjnë ata figura qesharake që i shërbejnë pushtetit. Në këtë moment ata pushojnë së qeni artist. Siç e thamë, artistët veprojnë në një prej dy formave: ata ose sillen si Monet dhe Mattise, ose sillen si njerëz që përballen me korrupsion dhe regjimet tiranike drejpërdrejt me anë të veprës artistike, por edhe me protesta apo demonstrata. Artistë që hyjnë në marrëveshje me pushtetin nuk ka, artistë që i shërbejnë pushtetit nuk ka, artistë që bëhen ndihmëtarë të mekanizmave të pushteteit, në mënyrë që ky i fundit të arrijë qëllimet që do, nuk ka. Ata janë thjesht mjeranë në shërbim që fshihen pas etiketës artist.

***

Këto ditë në Shqipëri po zhvillohet një debat i madh për vendimin që ka marrë qeveria shqiptare për prishjen e Teatrit Kombëtar. Një pjesë e artistëve të vetë Teatrit, aktorë dhe regjisorë, skenaristë apo skenografë, janë me qeverinë. Vendimi për prishjen e Teatrit nuk ka asnjë dallim në frymë nga dhjetëra vendime të marra nga regjime autoritare apo diktatoriale për të djegur biblioteka, prishur teatro, mbyllur apo rrënuar kinema, burgosur shkrimtarë etj. Nazistët dogjën pikturat e Dali, Klee, Ernst, Leger; Enver Hoxha dënoi të gjithë letërsinë e viteve ’30; Mao Ce Duni i shpalli luftë të gjithë artit të bërë në Kinë para komunizmit, etj. Dihet që, për të mundur një njeri atë duhet ta vrasësh, por që ta mundësh një popull duhet t’i zhdukësh idetë dhe memorien. Siç e thamë, idetë barten dhe jetësohen fuqimisht nga arti. Ndërsa memoria bën lidhjen e njeriut me rrënjët e tij, me atë që ai ka arritur dhe mbi të cilën do të ecë. Te Teatri Kombëtar janë të dyja, edhe idetë edhe memoria.

Aktorët, regjisorët, artistët që nuk janë në protestë ose demonstratë kundër prishjes së Teatrit, që nuk kanë mbajtur një qëndrim publik kundër prishjes së Teatrit, mund të justifikohen vetëm në qoftë se janë duke u sjellë si Mattise dhe Monet, vetëm në qoftë se janë duke art me qëllim që idetë e tyre, arti i tyre të ketë rolin e ngjyrave dhe dritës së artit të Monet dhe Mattisse.

A mund të quhen artistë ata që janë për prishjen e Teatrit, ata që shkojnë dhe vizitojnë me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, duke u veshur si punëtorë ndërtimi, stadiumin nën shembullin e të cilit (me kullë) do të ndërtohet edhe teatri i ri pas shembjes së të vjetrit? A mund të quhen artistë ata që marrin çmime nga kryetari i Bashkisë, dhe më pas shkojnë dhe mbështesin aktivitetet e tij? A mund të quhen artistë ata që heshtin kur qeveria dhe Bashkia sulmojnë dy kolegë të tyre (Robert Budinën apo Katriot Çipin) që janë kundër prishjes së Teatrit? A mund të jenë artistë ata që mbështesin prishjen e Teatrit me argumentin se godina e tanishme nuk rinovohet dhe Qeveria nuk ka para ta ndërtojë vetë një të re.

Këtu nuk është fjala thjesht për artistët e Teatrit Kombëtar, por edhe për shkrimtarët, pedagogët e Akademisë së Arteve, këngëtarët, shkrimtarët (edhe ata që janë kandidatë të përjetshëm për çmimin Nobel). Këtu nuk është fjala të etiketohen apo fyhen artistët që përkrahin shembjen, që mbështesin Bashkinë dhe Qeverinë. Këtu është çështja te fakti që të gjithë ata aktorë, regjisorë, skenografë të Teatrit Kombëtar që mbështesin qeverinë në shembjen e Teatrit, nuk duhen parë si artistë. Ata mund të jenë hallexhinj dhe nevojtarë, dhe me mënyrat e veta të neveritshme pushteti i zhvesh nga të qenit artist, në mënyrë që ata të mos e kundërshtojnë pushtetin.

Të fundit