Flash News

KRYESORE

‘A janë protestat shkaku?’, shtimi i të infektuarve me Covid përplas ministrinë e Shëndetësisë me opozitën

‘A janë protestat shkaku?’, shtimi i të infektuarve me

Në dy ditët e fundit shifrat e të infektuarve me Covid në Shqipëri kanë shënuar rekord që prej përhapjes së pandemisë.

Dje u regjistruan 36 raste të reja, ndërsa në 24 orët e fundit 42 raste, pas 311 testimesh.

E sotmja ishte dita me më shumë raste të reja. Me heqjen e masave pritej që vendi të kishte një rritje të vogël, por Shqipëria duket se po goditet nga vala e dytë e koronavirusit shpejt dhe me shifra të larta.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik tha se ndër shkaqet për rritjen e numrit të të prekurve janë grumbullimet masive dhe mosrespektimi i masave.

Argumentin e dha edhe më 23 maj, teksa komentoi edhe protestat e fundit të Aleancës për Teatrin, mbështetur edhe nga opozita pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Bino tha se nuk donte të merrej me politikë, por shtoi se do priten dy javë për të parë impaktin që do kenë grumbullimet në fjalë.

E ndërsa kanë kaluar dy javë numri i të infektuarve shënoi sot rekordin.

Por a janë vërtet protestat shkaku i shtimit të rasteve me Covid-19?

Deri tani nuk ka informacion zyrtar se sa sa prej të infektuarve kanë qenë në protesta, apo se sa ka qenë numri i “të infektuarve protestues” në raport me të gjithë numrin e rasteve pozitive të publikuara sot.

Nga ana tjetër, opozita akuzon ministrinë e Shëndetësisë dhe kryeministrin Rama se qeveria po bën propagandë duke thënë se grumbullimet masive janë shkaku kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve.

Dje, ish deputeti Bardh Spahia deklaroi se QSUT është vatra më e madhe e infeksionit në vend.

Ndërsa mjeku i QSUT, Petrit Vargu, denoncoi sot se një mjek dhe dy infermierë janë konfirmuar pozitivë me Covid -19 në urgjencën e QSUT-së.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk bën tamponë për personelin dhe fsheh rastet.

Kujtojmë se sot, në 42 rastet e konfirmuar me virus, 5 prej tyre janë personel mjekësor.

Nga java tjetër do të hapet edhe transporti urban, ku njerëzit do të jenë edhe më në kontakt me njëri-tjetrin, në një ambient të mbyllur si autobusi dhe për shkak të kësaj pritet që numri të rritet edhe më shumë.

Të fundit