Flash News

KRYESORE

A po ecën Erjon Braçe brenda PS-së në rrugën e Ben Blushit? (Të gjitha kritikat që bëri dje ndaj Edi Ramës)

A po ecën Erjon Braçe brenda PS-së në rrugën e Ben

Që në fund të mandatit të parë qeverisës, Erjon Braçe filloi të kritikonte hapur kryeministrin Edi Rama, shpesh herë, duke bërë dallimin midis tij si i majtë dhe kryetarit që mendon më shumë si politikan. Gjithsesi, me afrimin e fushatës elektorale, këto kritika të Braçes filluan të zbeheshin, për t’u rishfaqur më publikimin e emrave të ministrave të rinj të kabinetit të dytë. Ndonëse një politikan me karrierë brenda PS-së dhe shumë aktiv në Kuvend dhe terren, Erjon Braçes nuk iu besua asnjë portofol ministri, por Rama u mjaftua duke i dhënë postin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë. Kritikat e para filluan të drejtoheshin ndaj Niko Peleshit, ministër i Bujqësisë, dhe i preferuari i Ramës brenda partisë.

Ditën e djeshme, ai ishte i ftuar në emisionin ‘Kolaudim’ në InTv, ku kritikoi hapur qeverinë e kryeministrit Edi Rama në shumë çështje. Në fakt, kritikat e Braçes bien direkt mbi Ramën, ndërsa kur merr në mbrojtje politikat e mazhorancës ai mundohet të bëjë dallimin e madh se flet si deputet i PS dhe si socialist, përkatësi që nuk ndikohet nga raporti i tij me kryetarin.

Këto deklarata të Braçes tregojnë qartë për një krisje në marrëdhëniet e tij me Ramën, por a do të ecë edhe ai brenda PS-së në rrugën e ish-kolegut Ben Blushi? Sinjalet janë, por është ende vështirë të përcaktohet trajektorja, ndoshta sepse Braçe ka zgjedhur të lëvizë me hapa të vegjël, kjo pasi ai nuk e ka bërë publikisht ndarjen e madhe njësoj si Blushi: Shqipëria apo partia?!

Kritikat e Braçes:

-Nga pikëpamja teknike, projektbuxheti është në parametra optimal, merr edhe 10-të. Janë respektuar ato që ne quajmë parametra fiskalë. Edhe në financimin e sektorëve kyç të ekonomisë, natyrisht meriton një notë pozitive, 8-të, nuk i jap më shumë. Për shembull, te arsimi, buxheti financon librat falsa deri në klasën e katërt, unë do të preferoja që i gjithë sistemi 9-vjeçar të mbulohej me libra falas për fëmijët. Në një element që për mua është themelor, si i majtë, që ka të bëjë me pabarazinë, tek 5-sa dhe me zor. Shqipëria ka një problem shumë të madh, pabarazinë e thellë mes 10% të këtyre familjeve dhe 90%-shit tjetër. Ngel te një pjesë e taksave. Unë do të preferoja që tatimfitimi mbi këto kompani që kanë marrë kontrata koncesionare në Shqipëri dhe që veprojnë në kushte monopoli dhe mbi të gjitha një pjesë e tyre vijnë nga parajsa fiskale, të ishte më i lartë. Taksa e ndërtesës llogaritet mbi bazën e vlerës, nuk mund të llogaritet njësoj. Pensionistët nuk mund të paguajnë taksë për ndërtesën.

-Kam përshtypjen që kryeministri po mundohet të përfaqësojë një gamë të gjerë të familjeve ekonomike në Shqipëri. Mendon më shumë nga pikëpamja elektorale sesa nga pikëpamja sociale. Unë kam një fokus tjetër. Te ai fokusi që kam, mbase jam edhe më i majtë se ai.

-Për mua bujqësia mbetet një prioritet i rëndësishëm. Fshati duhet të mbetet prioritet absolut i qeverisë. Pavarësisht se ajo pjesa e financimit të drejtpërdrejtë shkon gati 26 milionë dollarë për vitin 2018-të, sërish nuk mjaftojnë, ndërkohë nga ana tjetër instrumenti i shpërndarjes së këtyre parave duhet parë shumë mirë, deri më tani ka vajtuar te ata që janë të mëdhenj në bujqësi dhe jo te ata që janë bujq dhe që kanë një ekonomi të vogël bujqësore.

-Për shijet e mija ajo që unë kam parë në Palasë nuk vlen, nuk më duket ndonjë investim strategjik. Ky që sapo pashë në ekran, unë besoj që ai është një investim i cili nuk duhet replikuar në bregun e jugut të Shqipërisë.

-Unë e quaj të papërshtashme sjelljen e kryeministrit me punëtorët e medias. Ka ca të tjerë pastaj që unë besoj se e meritojnë çdo lloj sjellje. Duke filluar nga ata që bëjnë ‘gjithollogun’ dhe për ca pronarë mediesh që ndërhyn deri në politikën editoriale. Por punëtori i medias duhet respektuar nga mëngjesi deri në darkë. Për mua agallarët të vazhdojnë të bëjnë ç’të duan, e kanë marrëdhënien e tyre. Pjesa më e madhe e atyre që u drejtohet kryeministri janë ish-miqtë e tij. I ka pasur miq, kanë dalë matanë, i ka bërë prap miq, kanë dalë prap matanë. Kjo është një çështje midis miqsh, le ta zgjidhin vetë, ata që janë gazetarë terreni janë komplet specie tjetër.

-(Provokimi i Ramës me veshjet) Ai e bën thjesht dhe vetëm që njerëzit të merren me këtë gjë. Unë nuk e kam qejf atë pjesë, ai e ka.

-Secili prej të dyve ka karakteristikat e tij (Nano-Rama). Unë e kam nisur jetën time politike me Fatos Nanon kryetar partie dhe që prej asaj kohe kam mësuar që në atë parti duhet thënë atë që mendon dhe vazhdoj ta them edhe sot dhe nuk kam pengesë për këtë punë. Kaq më mjafton që të mos cenohet liria ime në atë mendoj dhe natyrisht në ato kauza që unë duhet të mbrojë.

-(Akuzat e Berishës për avionët e drogës) I gjeti apo i nxiti? Sepse janë dy gjëra të ndryshme. Unë jam edhe te i gjeti edhe te i nxiti. Mushkonjat aty janë prap.

 

Të fundit