Flash News

KRYESORE

A po përpiqet Kastrati Grup të blejë Top Channel? Kronika 'luftarake' e Topit që tregon se Vjollca Hoxha po bën rezistencë

A po përpiqet Kastrati Grup të blejë Top Channel? Kronika

Pas blerjes së ish-hotel ‘Sheraton’, burime të sigurta për Politiko.al bëjnë me dije se grupi Kastrati, që drejtohet nga biznesmeni Shefqet Kastrati, ka nisur përpjekjet për një tjetër blerje të bujshme, bëhet fjalë për televizionin kombëtar, ‘Top Channel’. Të njëjtat burime thonë se, Kastrati ka mbështetjen e kryeministrit Edi Rama në këtë çështje. Politiko.al ka kontaktuar edhe me burime afër Kastrati Grup, të cilët kanë mohuar një pistë të tillë apo interesin e tyre për televizionin 'Top Channel'. 

Kastrati njihet si një biznesmen i afërt me kryeministrin Rama, ndërkohë që qeveria e këtij të fundit është vënë prej muajsh në qendër të kritikave të ‘Top Channel’.

Pavarësisht dëshirës së grupit Kastrati për të marrë drejtimin e televizionit më të madh në vend, nuk bëhet fjalë ende për një propozim apo shifër konkrete që të jetë vendosur në tryezën e pronares së ‘TCH’, Vjollca Hoxha.

Ndonëse nuk mund të konfirmohet zyrtarisht qëndrimi i Hoxhës për këtë përpjekje të Kastratit, kronika e publikuar dje në edicionin e lajmeve tregon që ‘Top Channel’ nuk është në shitje, madje drejtuesja po i reziston presionit, raporton Politiko.al.

“Dy kulla në Parkun e Liqenit? Çfarë fshihet pas blerjes së ish-“Sheraton”, hotelit me humbje”, ishte titulli i lajmit të ‘Top Channel’ dhe që raportonte se grupi Kastrati ka në planet e tij ndërtimin e dy kullave pas godinës së hotelit.

Në lajm nuk raportohej për një projekt konkret, por gazetarja shprehej se shuma e lartë e paguar për godinën lidhej pikërisht me pozitën gjeografike të ish-Sheraton.

Një tjetër detaj interesant në kronikën e ‘TCH’, ishte lidhja që i bëhej planit për ndërtimin e dy kullave, miratimit që duhet të marrë në Këshillin e Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, dhe përfitimit të ndërtuesit nga statusi i investitorit special në turizëm që jepet nga qeveria, duke u përjashtuar kështu dhe tatimet.

“Vetëm në këtë mënyrë, me ndërtime kullash të reja dhe përjashtim nga taksat, blerja 30 milionë euro e një biznesi që çdo vit del me humbje të mëdha mund të rezultojë fitimprurëse”, mbyllej kronika e ‘Top Channel’.

Kjo ishte përgjigjja e parë që Vjollca Hoxha i ka dhënë Shefqet Kastratit dhe mikut të tij, Edi Ramës, duke i rezistuar edhe një herë tjetër presionit që synon perandorinë e saj mediatike.

Të fundit