Flash News

KRYESORE

A po sillet Fatmir Xhafaj si i dorëhequr? Ministri i Brendshëm ‘zhduket’ nga ekranet

A po sillet Fatmir Xhafaj si i dorëhequr? Ministri i Brendshëm

Në datën 9 maj, Partia Demokratike publikoi për herë të parë dosjen e Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm, i cili figuron i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg në Itali. Në mbrëmjen e asaj dite, Fatmir Xhafaj, doli në një konferencë për mediat ku pranoi dënimin e vëllait të tij por tha se përgjegjësia është individuale. Në datën 10 maj, ishte seanca e parlamentit, ku Xhafaj ishte i pranishëm, por nuk foli, ndërsa seanca u ndërpre pas bllokimit të foltores nga ana e opozitës.

Denoncimet e opozitës për atë që njihet tashmë si ‘çështja Xhafaj’ ishin të përditshme. Selia blu denoncoi fillimisht ndryshimin e ligjit në Kodin e Procedurës Penale dhe më pas publikoi audio përgjimin. Nga ana e tij, Xhafaj u shfaq në datën 11 maj, ku në një njoftim të ministrisë së Brendshme, bëhej e ditur për takimin e tij me ministrin gjerman, Roth.

Në datën 14 maj, ministria e Brendshme njofton organizimin e një takimi por në të ishte e pranishme, zëvendësministrja dhe jo Xhafaj. Në datën 15, është një tjetër njoftim i ministrisë së Brendshme, për një tjetër aktivitet ku i pranishëm ka qenë zëvendësministri dhe jo ministri.

Në datën 16, Xhafaj ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, aty ku Rama foli për herë të parë në lidhje me audio përgjimin, ndërkohë që në mbrëmje u shfaq para mediave edhe ministri i Brendshëm, në një konferencë përballë gazetarëve, ku sa i takon akuzave të opozitës përsëriti thuajse të njëjtat gjëra që tha edhe kryeministri.

Në datën 17, Xhafaj nuk ishte i pranishëm në seancën plenare. Po në këtë datë, mbahet një aktivitet në Akademinë e Sigurisë por sërish e pranishme është zëvendësministrja e Brendshme dhe jo ministri. Në datën 18, Xhafaj shfaqet në krah të ambasadores gjermane ku jep edhe një prononcim për mediat. Kjo është edhe dalja e fundit e tij në publik. Gjatë turit të qeverisë në Gjirokastër, Xhafaj nuk shfaqet sërish, në dy aktivitete që ministria e Brendshme organizoi në këtë qark u përfaqësua nga zëvendësministrja, Rovena Voda.

Gjatë këtyre ditëve, policia e shtetit ka njoftuar ndërmarrjen e disa aksioneve, por ministri ka heshtur dhe nuk ka bërë asnjë koment.

Para se Partia Demokratike të publikonte dosjen e vëllait, Fatmir Xhafaj, shfaqej rregullisht në media me të ashtuquajtura ‘Forumi i Sigurisë Publike’ që organizohej në çdo qark, por prej disa javësh ky lloj takimi nuk po mbahet më edhe pse kanë mbetur edhe disa qarqe për t’u zhvilluar./Politiko.al

Të fundit