Flash News

KRYESORE

A vishen firmato fëmijët e gjyqtarëve e prokurorëve? Reagon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit: Jemi konform ligjit

A vishen firmato fëmijët e gjyqtarëve e prokurorëve? Reagon

Pas lajmeve të publikuara në media se fëmijët e gjyqtarëve  dhe prokurorëve, që pas nisjes së procesit të vettingut janë kontrolluar fizikisht për të kuptuar nëse vishen me rroba firmato ose jo, vjen reagimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

KPK në një reagim zyrtar thekson se lajmet janë të rreme dhe se funksionon në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit përkatës.

Reagimi i KPK

Duke marrë shkas nga disa lajme të pavërteta të publikuara në media, mbi kontrollin fizik të fëmijëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dëshiron të sqarojë opinionin publik, por edhe vetë subjektet e rivlerësimit:

Nga ky organ kushtetues nuk është ndërmarrë asnjëherë kontroll fizik për veshjet e fëmijëve të subjekteve të rivlerësimit dhe as nuk janë pyetur në lidhje me jetesën e tyre.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit funksionon në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit përkatës, duke e zbatuar rigorozisht atë.

Në këtë kuadër, me përgjegjësi të plotë garantojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë asnjëherë të drejtat e njeriut dhe, aq më tepër, të drejtat e fëmijëve.

Mediat janë partneri ynë kryesor në respekt të transparencës dhe informimit me korrektësi e vërtetësi të publikut dhe çdo keqinformim do të ndikonte në besueshmërinë e një procesi jetik për Shqipërinë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbetet i angazhuar për të ushtruar me paanshmëri, profesionalizëm dhe gjithnjë në respekt të ligjit funksionet e tij, me qëllim kryesor rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Të fundit