Flash News

KRYESORE

Abuzimet me fondet e shtetit, ISP: Ka deputetë me banesa private në Tiranë dhe deklarojnë se janë me qira

Abuzimet me fondet e shtetit, ISP: Ka deputetë me banesa private në

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin e radhës monitorues lidhur me Kuvendin e Shqipërisë, sesioni parlamentar shtator-dhjetor 2018.

Sipas këtij raporti, sa i takon trajtimit financiar të deputetëve rezulton se ka patur edhe raste të abuzimeve ligjore.

“Referuar të dhënave të Kuvendit mbi trajtimin financiar të deputetëve dhe opinioneve të marra nga monitoruesit e ISP tek deputetët rezulton se përgjithësisht shumica absolute e deputetëve janë kritikë për nivelin e trajtimit dhe theksojnë pamjaftueshmërinë e tij në raport me përgjegjësitë dhe aktivitetin parlamentar. Kjo çështje do të duhej të kishte trajtim nga Byroja e Kuvendit dhe organet e tjera drejtuese, por ende nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret. Nga ana tjetër, ISP konstatoi se edhe këtë sesion deputetë të veçantë vijuan të përfitojnë trajtime financiare të ndryshme, përfshirë edhe trajtimin financiar për banesë për deputetët që banojnë në zona të largëta nga Tirana, përfshirë deputetë nga Vlora apo Shkodra. Në tërësi kjo është e drejtë e deputetëve dhe është një standard ligjor, por problematika vijon të mbeten të dhënat për ndonjë prej deputetëve përfitues në listë ka të dhëna të tilla që krijojnë dyshime se kemi të bëjmë me abuzim ligjor dhe financiar. Për shembull, ka pasur raportime tek monitoruesit (edhe nga vetë deputetët) se ndonjë deputet ka banesë private në Tiranë dhe deklarimet e banimit me qira janë fiktive. Kjo problematikë është ngritur edhe në raporte të tjera monitoruese, por ende Kuvendi nuk ka reaguar institucionalisht për hetime dhe zgjidhje afatgjatë të saj. Po ashtu, ka dy elementë të tjerë që Kuvendi ende nuk i ka trajtuar dhe që kërkojnë trajtim institucional dhe zgjidhje afatgjatë. E para lidhet me deputetë që mungojnë për shkak të vendimit politik për bojkotim të pjesshëm nga ana e partive të tyre politike. Praktika e deritanishme ka qenë penalizuese por edhe konfirmuese nga ana e Gjykatës, ku 100% e rasteve të vendimmarrjes në Gjykatën Administrative u kanë dhënë të drejtë deputetëve në kërkesat e tyre për kompensim financiar. Në këto rrethana do të duhet që Kuvendi me mosveprimin e tij për krijimin e një praktike unike, të mos i detyrojë deputetët të ndjekin procese ligjore dhe një rrugë të gjatë administrative për një të drejtë të sanksionuar tashmë nga sistemi ynë i drejtësisë. Elementi i dytë lidhet me të njëjtën situatë, për deputetët që bojkotojnë dhe që njëherësh, përveç rrogës bazë (të konfirmuar nga gjykatat) përfitojnë edhe bonuse shtesë financiare si në ditët e prezencës aktive në parlament. Nëse në rastin e parë deputetët kanë të drejtë, në rastin e dytë është më së paku e diskutueshme e drejta e tyre dhe kufiri midis të drejtës dhe abuzimit financiar. Edhe kjo problematikë meriton të trajtohet nga Kuvendi për një zgjidhje përfundimtare”, sqaron ISP.

Të fundit