Flash News

KRYESORE

Abuzimet në MPJ/ Katapultimi i çuditshëm i emigrantes. Ndërroi tre pozicione në katër muaj: nga sekretare në Konsulle e Përgjithshme në Milano

Katër konsuj të përgjitshshëm të Shqipërisë, përkatësisht në konsullatat tona në Selanik, Janinë, Bari dhe Milano, nuk i përkasin shërbimit të karrierës diplomatike. Veç kësaj ata nuk kanë as arsimimin e përshtatshëm, që lidhet direkt apo indirekt, me diplomacinë. 

Flagrant është rasti i konsulles së përgjithshme në Milano, Anila Pojani, e cila ka mbaruar për bio-kimi, ka punuar si kontabiliste dhe tani drejton një mision diplomatik në një nga qytetet më të rëndësishme të Europës.

Mangësitë në lidhjet adekuate me postin janë munduar të fshihen në cv-në e postuar në faqen zyrtare të Konsullatës me superlativa të llojit 'ka mbaruar të mesmen me të gjitha 10-ta'. "Meritë profesionale" duket se përbën edhe fakti se "si të gjithë shqiptarët emigroi".

Pikant është moslidhja mes arsimimit të zonjës Pojani, diplomuar në Tiranë për Bio-Kimi, dhe profesionit të ushtruar në Itali. Në Cv- shënohet se ka punuar si specialiste Financë-Kontabël. 

Procedurat e emërimit të Konsulles të Përgjithshme në Milano i ka gjetur në shkelje dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë kontrollit të ushtruar në Ministrinë e Jashtme!. VKM nr. Nr. 816, datë 7.10.2015, KREU VIII, KOMISIONI I POSAÇËM PËR SHQYRTIMIN E KANDIDATURAVE PËR KRE TË MISIONIT DIPLOMATIK, QË NUK ËSHTË DIPLOMAT I KARRIERËS.

Sipas një kërkimi të Politiko.al rezulton se Konsullja e Përgjithshme, Anila Pojani ka marrë tre emërime të njëpasnjëshme në Konsullatën e Milanos: në mars 2016 emërohet sekretare; në prill 2016 emërohet konsulle; dhe, pa filluar punë ende në këtë pozicion, në qershor 2016, emërohet Konsulle e Përgjithshme. Pra, tre emërime me kapërcime të forta në hierarki brenda katër mujash.

Pse emërohet në këtë pozicion, në një prej konsullatave më të rëndësishme, një individ pa eksperiencën minimale në fushën e politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve konsullore?

Burime të Politiko.al thonë se Anila Pojani nuk është e pajisur akoma me certifikatë sigurie dhe sipas pikës 3, kreu 9, të VKM nr. 816 datë 7.10.2015, një punonjës i Ministrisë së Jashtme që i refuzohet dhënia e Certifikatës së Sigurisë duhet të largohet nga puna.  

 

Të fundit