Flash News

KRYESORE

Abuzimi seksual ndaj të miturve/ The Economist: Shqipëria shënon '0' në pesë tregues

The Economist ka publikuar të dhëna që raportojnë lidhur me shfrytëzimin dhe abuzimin seksual tek të miturit në Shqipëri.

Në artikull shkruhet se Shqipëria ka komponentët themelorë të një kornize ligjore efektive për të luftuar dhunën seksuale ndaj fëmijëve, por mbrojtja e fëmijëve mund të jetë më e plotë, duke përfshirë përcaktimin si vepër kriminale të të paguarit kundrejt shërbimeve seksuale nga të miturit.

Çështjet në të cilat është bërë progres:

Kuadri ligjor: Shqipëria ka një sërë ligjesh në lidhje me aktivitetet seksuale tek fëmijët nën moshën 18 vjeç. Mosha e pëlqimit është 14 vjeç ,por kryerja e aktivitetit seksual me të mitur është e ndaluar në të gjitha rastet.

Raportimi: Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe burgjet shtetërore mbajnë shënime mbi numrin e shkeljeve të regjistruara të abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Instituti i Statistikave (INSTAT) i grumbullon këto të dhëna dhe ofron statistika për krimet, përfshirë krimet për abuzimin seksual, por nuk përcakton cilat krime kanë të bëjnë me fëmijët.

Mekanizmat e raportimit: Një linjë telefonike pa pagesë (ALO 116) është në dispozicion për publikun për të raportuar rastet ose shqetësimet rreth abuzimit seksual të fëmijëve. Linja telefonike është publikuar gjerësisht dhe verifikon e i referon rastet e raportuara njësive të mbrojtjes së fëmijëve ose strukturave të tjera kompetente.

Aspektet që kanë nevojë për përmirësim:

Angazhimi i industrisë së medias: ALO 116 (linja telefonike kombëtare për raportimin e abuzimit seksual të fëmijëve) dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri ofrojnë udhëzime për raportimin e neglizhencës dhe abuzimit të fëmijëve. Megjithatë, industria e medias nuk ofron udhëzimet e veta për gazetarët që raportojnë për dhunën seksuale ndaj fëmijëve.

Të paguarit përkundrejt shërbimeve seksuale: Punësimi për ofrimin e shërbimeve seksuale nga një i mitur nuk është në mënyrë specifike e paligjshme në Shqipëri. Neni 113 i Kodit Penal ndalon prostitucionin, por nuk përmend në mënyrë specifike fëmijët si punëtorë të seksit dhe të paguarit e shërbimeve seksuale nga të miturit nuk është e mbuluar me ligj.

Parandalimi i abuzimeve dhe rehabilitimi i abuzuesit: Shqipëria aktualisht nuk ka një sistem mbështetës për të parandaluar abuzuesit e ardhshëm ose të përsëritur nga kryerja e dhunimit seksual ndaj fëmijëve.

"Abuzimi seksual dhe shfrytëzimi i fëmijëve është i parandalueshëm dhe ka strategji për këtë që janë provuar si të suksesshme. Kur qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat veprojnë së bashku, përparimi është i mundur", shkruan ndër të tjera The Economist.

Të fundit