Flash News

KRYESORE

Adi Krasta përfshihet në debatin për shkëmbimin e territoreve: Djaloshi Soros ka rol episodik. Ja pse Thaçi kërkon referendum

Adi Krasta përfshihet në debatin për shkëmbimin e

Gazetari Adi Krasta është përfshirë në debatin që është krijuar së fundmi për një ndryshim të mundshëm të kufijve të Kosovës me Serbinë. Ai thekson se zërat që shprehnin shqetësim për këtë çështje kanë ekzistuar prej kohësh, por shqiptarët e Kosovës nuk i kushtuan vëmendje.

Sipas Krastës, veprimet e presidentit Hashim Thaçi janë pjesë e një procesi që ka nisur herët, që në ditët kryeministrore të tij.

“Nuk ka kuptim të bëjmë tani të çuditurin dhe as të mërziturin me veprimet e Thacit. Kushdo që sheh me vemendje dhe lidh pikat e rebusit e kupton se procesi ka nisur herët, që në ditët kryeministrore të tij”, shkruan Krasta.

Adi Krasta nuk e konsideron rastësore kërkesën e Thaçit për referendum sa i përket bashkimit me Luginën e Preshevës dhe ndryshimin e kufijve, pasi disa aktorë të tjerë kanë kohë që bëjnë sondazhe e agjenturë për të treguar se Kosova e sotme eshtë e lodhur për të qënë pambarimisht një provincë sherri të vazhdueshëm.

Gazetari komenton edhe një përfshirje të mundshme të George Soros në këtë çështje: “Djaloshi Soros po rrotullohet shumë vonë në skenë dhe me shumë gjasë ka nje rol episodik.”

Krasta thotë se këto veprime duhet të ishin monitoruar me kujdes gjatë 15 vitet e fundit dhe se patriotët duhet të kishin punuar me kohë për t’u ballafaquar me këtë situatë. Sipas tij, aksioni që ka nisur për kundërshtimin e këtij procesi nuk është i mjaftueshëm.

“Patriotët duhet të kishin punuar me kohe për këtë ditë ballafaqimi të madh. Por nje Doktrine Kombëtare Mbijetese nuk u formulua kurrë. Gjithçka tjeter eshte përsiatje interneti. Dhe është krejtesisht e pamjaftueshme”, shkruan Krasta.

Reagimi i plotë i Adi Krastës:

Kur zëra të mënçur të elitës intelektuale e kulturore të Kosovës shprehnin shqetësim rreth asaj që nuk dukej por që përflitej në marrëdhënien e padukshme të Thaçit me udheheqësit e Serbisë në tryezat teatrale të Mogherinit, pjesa më e madhe e popullatës së Kosovës, brenda vendit dhe në diasporë, dukej se e kishte vemendjen te perqendruar në ngjarje të tjera me dramaticitet të lartë si zgjedhjet, koalicionet, Haga e liderëve dhe klasa politike e korruptuar (anipse asnjehere aq banale sa klasa politike e Shqiperise).

Nuk ka kuptim të bëjmë tani të çuditurin dhe as të mërziturin me veprimet e Thacit. Kushdo që sheh me vemendje dhe lidh pikat e rebusit e kupton se procesi ka nisur herët, që në ditët kryeministrore të tij.

Djaloshi Soros po rrotullohet shumë vonë në skenë dhe me shumë gjasë ka nje rol episodik.

Jo rastësisht kryetari Thaci kërkon referendum popullor. As ai e as zyra e tij, por të tjerë aktorë kanë kohë që bëjnë sondazhe e agjenturë për të treguar se Kosova e sotme eshtë e lodhur për të qënë pambarimisht një provincë sherri të vazhdueshëm. Ashtu siç po bëhet gradualisht himni kombetar nje melodi jo domethënëse, siç është bërë ne syte e shume njerezve Shqiperia një strukturë lapangjoze kërcënuese, nuk është e çuditshme që të bëhet Serbia nje fqinjë të cilës i jepet Mitrovica e Veriut dhe ndonjë Zajednice a Manastir Decani me ortodoksi te pavarur, vetëm e vetëm që në të ardhmen të mos kihet asnjë lidhje dhe asnjë shqetesim me serbet e nga Serbia.

Treguesit për ndryshim në konceptimin e realpolitikes e pragmatizmit, sikurse dhe ndryshimit te gjëndjes psikoshpirtërore të njerezve të zakonshëm në Kosovë janë të shumtë. Dhe të dallueshëm. Ato duheshin monitoruar me shume kujdes pesëmbedhjetë vjetet e fundit.

Patriotët duhet të kishin punuar me kohe për këtë ditë ballafaqimi të madh. Por nje Doktrine Kombëtare Mbijetese nuk u formulua kurrë. Gjithçka tjeter eshte përsiatje interneti. Dhe është krejtesisht e pamjaftueshme.

Të fundit