Flash News

KRYESORE

“Air Albania” dhe aeroporti i Vlorës, deputeti i PE letër Mogherini-t: A ka shkelje ligjore?

Deputeti austriak i Parlamentit Europian, Paul Rubig, i ka dërguar dje një letër përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme e të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini, në lidhje me kompaninë “Air Albania” dhe aeroportin e Vlorës.

Rubig i kërkon Mogherinit që të shqyrtojë përputhjen e këtyre prokurimeve publike nga qeveria shqiptare me standardet e BE-së. Me anë të letrës, deputeti drejton dy pyetje, duke u nisur nga raportimet mediatike në Shqipëri

Një muaj më parë, për të njëjtën çështje, deputeti holandez Dieter Omtzigt iu drejtua me një letër ministrit të Jashtëm holandez në prag të vizitës së tij në Tiranë, Stefan Blok. Deputeti Dieter Omtzigt vë në dyshim të madh nëse ndonjë tender publik në Shqipëri është bërë në përputhje të rregullave të pranuara nga BE.

Letra e plotë e Paul Rubig drejtuar Federica Mogherinit:

Pyetje parlamentare bazuar në nenin 130 të Rreg. PE

Drejtuar: Përfaqsueses së Lartë per Politikën e Jashtëme e të Sigurisë të BE znj. Federica Mogherini/Komisioni Europian

Nga: Dr. Paul Ruebig, deputet i Parlamentit Europian

Lënda: shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë

Teksti: Bazuar në shumë raportime mediatike në Shqipëri kanë ndodhur shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës lidhur me krijimin e linjës ajrore “Air Albania” si dhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ato tregojnë se në këto dy raste përcaktimet e Marreveshjes së Stabilizim Asociimit janë shkelur; po ashtu ato bien në kundërshtim me normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (ËTO). Më tej, sipas raportimeve mbi këto raste, organet mbikqyrëse në Shqipëri nuk e kanë përmbushur rolin e tyre.

Në lidhje me sa më lart ju drejtojmë këto pyetje:

– A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian?

– Në rast se po: cilat janë veprimet konkrete të Komisionit Europian në dy rastet e lartpërmendura si dhe në përgjithësi në të ardhmen në mënyrë që në Shqipëri të zbatohen rregullat e prokurimit e të konkurrencës dhe kështu të respektohen detyrimet që rrjedhin nga Marreveshja e Stabilizim Asociimit si dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë?

Dr. Paul Rubig (firma)

Datë 13 shkurt 2019

Të fundit