Flash News

KRYESORE

Aksidenti/ 13 shtete bllokojnë avionin ‘737 Max 8’, aksionet e Boeing bien me mbi 13%

Aksidenti tragjik ajror në Etiopi që i mori jetën 157 njerëzve po i jep goditje të madhe kompanisë amerikane ‘Boeing’. Modeli i avionit ‘737 Max 8’ është i dyti që rrëzohet, pas aksidentit të ndodhur disa muaj më parë në Indonezi, ku humbën jetën 189 njerëz.

Janë 13 shtete që kanë bllokuar fluturimet e këtij modeli avioni, si dhe kanë pezulluar përkohësisht licencat deri në përfundimin e hetimeve.

India, Kina, Meksika, Etiopia, Brazili, Afrika e Jugut, Singapori, Argjentina, Mongolia, Koreja e Jugut, Ishujt Kajman dhe Indonezia kanë ndaluar fluturimet e avionit, ndërsa Vietnami ka njoftuar se nuk do të japë licenca për këtë model deri sa të mbyllen hetimet.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kërkuar përmirësim urgjent për modelet e ‘737 Max 8’.

Ndërkohë, aksionet e kompanisë Boeing kanë rënë në bursë me mbi 13%, pas vendimit të 13 shteteve për të bllokuar fluturimet e avionëve të këtij modeli.

Autoritetet në shtetin afrikan kanë gjetur dje ‘kutinë e zezë’, investigimi i së cilës do të zbulojë shkaqet e aksidentit.

Të fundit