Flash News

KRYESORE

Aksioni në Lezhë, sekuestrohen 4 mina, arrestohet 29-vjeçari. 15 të shoqëruar në polici

Aksioni në Lezhë, sekuestrohen 4 mina, arrestohet 29-vjeçari.

Policia e Lezhës njoftoi se gjatë orëve të natës, ka finalizuar operacionin e koduar "Telekomanda" ku u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot - Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Sipas policisë, ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve që kjo polici ka zhvilluar në mbështetje edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, në Kurbin u ndalua shtetasi në kërkim Gentjan alias Gazmir Elezi, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin. Pqër këtë shtetas gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, ka caktuar masën e sigurimit personal "Arrest në burg" për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit". Elezi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015, në Mamurras Kurbin, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi N.T.

Po në Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias Gentjan Tafa, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë.

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve është edhe shtetasi Eris Gjoni, 20 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor. Ai akuzohet për veprat penale "Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" si dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës".

Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit nga strukturat e Policisë Lezhë në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë kryesisht të dyshuar për "Vjedhje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".

 

 

Të fundit