Flash News

KRYESORE

Aksioni në Veri, Pacolli thirrje serbëve: Mos abuzoni politikisht me një operacion të thjeshtë

Aksioni në Veri, Pacolli thirrje serbëve: Mos abuzoni politikisht me

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka apeluar serbët të ruajnë qetësinë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë.

Referuar incidenteve të sotme në Veri gjatë një operacioni policor për arrestimin  e të kërkuarve, si dhe zyrtarë të përfshirë në kontrabandë dhe krim të organizuar, Pacolli sqaron se ky operacion ka qenë i përgatitur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin.

“Policia e Kosovës po kryen një operacion në Kosovën veriore për të arrestuar qytetarë të Kosovës duke përfshire Policë të cilët janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.

Ky operacion ka qenë i përgatitur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin. Ne kemi parë operacione të ngjashme në ditët e fundit në pjesë të tjera të Kosovës.

Kosova dëshiron të tregojë vullnetin e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ne i bëjmë thirrje të gjithëve për të mbështetur veprime të tilla.

Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë.

Unë i dënoj thirrjet e qeverisë serbe që madje e kanë thirrur ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar”, sqaron ministri.

Deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë, si dhe ka mbetur i plagosur një polic kosovar, i cili jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu  gjatë operacionit, Policia ka konfiskuar sende të ndryshme përfshirë edhe disa armë zjarri.

Të fundit