Flash News

KRYESORE

Aksioni i opozitës, Mediu: Do të përdorim çdo instrument për të sjellë vendin në binarët kushtetues

Aksioni i opozitës, Mediu: Do të përdorim çdo instrument

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mbështet çdo instrument përfshirë protesta apo bojkotin kundër qeverisë, por thotë se krahas këtyre opozita duhet të ndërgjegjësojë qytetarët  dhe ndërkombëtarët për situatën e vështirë që po kalon. Mediu tha se opozita duhet të zhdërvjelltësojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Aleati  i Partisë Demokratike, kreu i republikanëve Fatmir Mediu, thotë se opozita duhet të përdorë çdo instrument për të rikthyer vendin në binarët e Kushtetutës.

Krahas instrumenteve si bojkoti apo protestat, sipas kreut të republikanëve, opozita ka për detyrë të ndërgjegjësojë opinionin publik shqiptar por dhe ndërkombëtar për situatën e vështirë që sipas tij po kalon vendi.

“Çdo gjë që do ta sillte Shqipërinë në binarët kushtetues padiskutim që është e vlefshme. Në kuadrin opozitar mendoj që çdo vendim që duhet të marrim duhet të mendojmë se cili është hapi tjetër. Ajo që është më e rëndësishme për opozitën është ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar për situatën në Shqipëri dhe kjo kërkon jo vetëm protestë, por një dialog, një dëgjim reciprok me qytetarët në çdo skaj të Shqipërisë”, deklaroi kryetari i PR-së.

Mediu kërkon gjithashtu një bashkëpunim intensiv me faktorin ndërkombëtar, duke theksuar se nuk mund të mjaftohet vetëm më denoncimin e zhvillimeve tek ata.

“Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë një element bashkëpunimi dhe jo reagimi dhe reflektimi pasi ndodhin ngjarjet. Në këtë kuadër, mendoj se ne duhet të bëjmë të gjitha lëvizjet për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar”, tha ai

Stabiliteti i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me stabilitetin në rajon.Në këtë linjë Mediu komentoi marrëdhënien e opozitës me dy selitë kryesore ndërkombëtare në Tiranë, SHBA dhe BE.

“Nuk ka ngurtësi, mendoj që ka më tepër nevojë për zhdërvjelltësi dhe kuptim reciprok të gjërave. Nuk mendoj që opozita duhet të gjykojë që faktori ndërkombëtar duhet të na dëgjojë me patjetër atë që dëgjojmë ne, apo ne duhet të dëgjojmë me patjetër çka thotë faktori ndërkombëtar. Duhet të bashkëpunojmë për të ndërtuar një partneritet i cili është i vlefshëm për sot në opozitë dhe nesër në qeveri”, u shpreh Mediu

Mediu tha se opozita duhet të bëjë gjithçka që ta bashkojë zërin e saj me zërin e qytetarëve, dhe kjo sipas tij është rruga që mund të ndryshojë gjërat. (Ora News)

Të fundit