Flash News

KRYESORE

Aktivisti ngre shqetësimin që has në rrugët e Tiranës: Për njerëzit me probleme mendore nuk kujdeset askush; do ndodhë ndonjë hata

Aktivisti ngre shqetësimin që has në rrugët e Tiranës:

Aktivisti Adriatik Lapaj ka ngritur shqetësimin për njerëzit me probleme mendore që lëvizin në rrugët e Tiranës, shpesh herë të palarë dhe në gjendje të tmerrshme.

Lapaj denoncon instancat shtetërore, të cilat nuk marrin asnjë masë që t’i dërgojnë këta njerëz pranë qendrave të specializuara. Ai kritikon gjithashtu kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se kujdeset për estetikën e qytetit nga gjyshet që shesin spinaq, por nuk shqetësohet se në rrugët e qytetit ka njerëz të braktisur dhe në gjendje të rëndë.

Lapaj kërkon të merren sa më parë masa për të shmangur ndonjë tragjedi.

Reagimi i Adriatik Lapajt:

PO NGRE NJË SHQETËSIM

Në Tiranë has shpesh rrugëve (kryesisht në unazë) njerëz që kanë probleme shëndetësore (mendore), në pjesën më të madhe të braktisur, të pastrehë, të palarë, në një gjendje të tmerrshme.

Askush nga instancat shtetërore nuk merr masa që ti marrin dhe ti dërgojnë pranë qendrave (spitaleve) të specializuara.

Ata në ato kushte janë rrezik për veten dhe qytetarët e tjerë. Nuk është e largët dita kur ndonjë hata do ndodhë.

Këtu që Kryetari Bashkisë shqetësohet për estetikën e qytetit nga nënat shamibardha që shesin spinaq besoj se do duhej të shqetësohej pikërisht që rrugëve të qytetit ka njerëz të braktisur në atë gjendje.

Këtu ku ka 100 organizata që shqetësohen për qentë e rrugës, besoj se duhet të shqetësohen dhe për njerëzit e rrugëve.

P.s sot në unazë një prej tyre jashtëqiti mu në stacion të autobuzit. Nuk bëra foto se ishte e tepërt.

Të fundit