Flash News

KRYESORE

Akuza për trukim dhe dorëzim pa kushte, ekipet shqiptare zhgënjejnë në premierën europiane

Akuza për trukim dhe dorëzim pa kushte, ekipet shqiptare

Katër ekipet shqiptare, Kukësi, Luftëtari, Laçi dhe Partizani kanë zhvilluar ndeshjet e para të raundit para-eliminator të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës, teksa paraqitjet e tyre kanë qenë larg pritshmërive.

Kukësi nuk arriti të mposhte ekipin maltez të Valetas, duke e mbyllur sfidën në një barazim pa gola, 0:0. U mendua se blerjet e reja, si: Sebino Plaku, Arbër Cyrbja, Harrallamb Qaqi dhe Vangjel Zguro do të bënin diferencën, por ndeshja tregoi se lojtarët nuk ishin përshtatur mirë me njëri tjetrin. Sfida e kthimit do të luhet më 17 korrik në kryeqytetin maltez, Valeta.

Më zhgjënjyese ishte paraqitja e Luftëtarit, ku ekipi gjirokastrit pësoi një humbje turpëruese me rezultatin 5:0  përballë ekipit lituanez të Ventplisen duke shuar shpresat për një kalim historik në raundin tjetër. Përformanca e lojtarëve habiti shumë edhe trajnerin Milos Kosiç, i cili disa herë i bëri thirrje skuadrës: “Çfarë po ndodh kështu”, ndërsa tifozët kanë shpërthyer në revolta në rrjetet sociale duke akuzuar futbollistët dhe drejtuesit se kanë trukuar ndeshjen.

Laçi pati një provë të vështirë në Qipro, përballë skuadrës së Anathorsis Famagusta. Ndeshja përfundoi 2:1 për vendasit, të cilët përmbysën rezultatin, duke zhvlerësuar golin e parë të mbrojtësit Erion Hoxhallari në minutën e 21-të. Djemtë e drejtuar nga Besnik Prenga mund të shpresojnë në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet më 19 korrik, por duket se largimi i sulmuesit Artur Reginaldo ka krijuar një boshllëk të madh të repartin ofensiv.

Në ‘Selman Stërmasi’, Partizani u mund minimalisht 1:0 nga sllovenët e Mariborit, duke treguar se ‘demat e kuq’ nuk janë ende gati për të qenë një ekip konkurues në garat europiane. Më shumë se rezultati, bëri përshtypje deklarata e trajnerit Skënder Gega, i cili u shpreh pas ndeshjes se ekipi ështe i fokusuar më shumë në Kategorinë Superiore, që fillon më 14 gusht dhe jo në Ligën e Europës. “Kemi shumë punë për të bërë. Ideja jonë është të bëjmë paraqitje dinjitoze, të testojmë veten tonë se ku mund të jemi. Qëllimi ynë është kampionati i ardhshëm”, u shpreh Gega paralajmëruar një dorëzim pa kushte në ndeshjen e kthimit më 19 korrik në Maribor.

Të fundit