Flash News

KRYESORE

Akuzat dhe protestat gjatë karrierës politike në Tiranë. Cilat janë dështimet e Besa Shahinit në krye të Arsimit

Akuzat dhe protestat gjatë karrierës politike në Tiranë.

"Po, e shoh veten gjatë në politikën e Tiranës." Kështu do të deklaronte ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë një interviste rreth një viti më parë, por rezultoi e kundërta.

Shahini qëndroi vetëm rreth një viti e nëntë muaj në krye të Ministrisë së Arsimit, për t'u rikthyer në Kosovë, duke mos rezistuar as deri në përfundim të mandatit aktual. U largua vetë apo e largoi shefi i saj Edi Rama? Kësaj pyetjeje nuk i dihet ende përgjigjia, por ajo që dihet është se pak kush e besoi arsyen që ajo tha publikisht, se donti t'i përkushtohej jetës familjare dhe familjes së re që ka ngritur me një nga idhtarët e së majtës kosovare, kundërshtarin dhëmb për dhëmbë të Albin Kurtit, Dardan Molliqajn.

Besa Shahini e mori drejtimin e Ministrisë së Arsimit në një moment të vështirë. U emërua më 28 dhjetor 2018, duke zëvendësuar Lindita Nikollën, në një kohë kur në rrugë dhe në universitete dëgjoheshin ende brohoritjet e studentëve që kërkonin të drejtat e tyre. Një emër i panjohur për politikën shqiptare, e ardhur nga Kosova dhe e studiuar në ShBA, ajo kishte vetëm një vit si zëvendësministre e Arsimit.

Besa Shahini u zotua së bashku me shefin e saj Edi Rama, se me të ashtuquajturin "Pakti për Universitetin" do t'iu jepte fund halleve të studentëve dhe këta të fundit u "dorëzuan" duke u rikthyer sërish në auditore. Por, "pakti për universitetin" ishte më shumë një propagandë dhe rezultoi thjesht një "mashtrim për të kaluar lumin", pasi pjesa më e madhe e kërkesave të studentëve janë ende pa u plotësuar.

Por, përveç problematikave në shkolla dhe universitete që zvarriteshin dhe shtoheshin vit pas viti, ish-ministrja Besa Shahini nuk kishte as fatin me vete.

Tërmeti që goditi vendin më 26 nëntori bëri që mësimi të ndërpritej për një periudhë dhe shumë shkolla të dilnin jashtë funksionit. Ministria duhet të gjente një zgjidhje që çdo nxënës mos mbeteshe pa vazhduar shkollën dhe si zgjidhje u gjet mësimi me turne, por që nuk u mirëprit mirë nga të gjithë. Nxënësit e shkollës "Sami Frashëri" të cilët vazhdonin mësimin te shkolla "Andon Zako Çajupi" bojkotuan disa herë mësimin dhe u ngritën në protestë për shkak të pakënaqësive. Protesta pati dhe në shkollën 9-vjeçare "Emin Duraku" në kryeqytet nga prindërit, për shkak se pritën për një kohë të gjatë  për t'u marrë vendimi nëse shkolla do shembej totalisht apo do rikonstruktohej dhe ndiheshin të pasigurt për fëmijët e tyre. Gjithashtu protesta pati dhe në vende të tjera për shkak se në disa fshatra shumë nxënës mbetën pa zhvilluar mësim.

Por, ende pa u stabilizuar nga problemtaika e parë, arsimi do përballej dhe me pandeminë COVID-19. Bankat e shkollave dhe auditoret e universiteteve mbetën për një kohë të gjatë bosh, për shkak të frikës së përhapjes së virusit. Ministria e Arsimit gjeti si zgjidhje zhvillimin e mësimit online. Pavarësisht propagandës dhe sondazheve të qeverisë se 98 % e nxënësve kanë ndjekur rregullisht mësimin online, kritikat nga nxënësit dhe studentët kanë qenë të shumta pasi jo të gjithë e kishin mundësinë, më kryesorja arsyeja ekonomike) për ta ndjekur mësimin përmes "smartphone-ve" dhe kompjuterave.

Për të dyja raste, qoftë te tërmeti dhe te pandemia, Ministria e Arsimit dhe veçanërisht ish-ministrja Besa Shahini është akuzuar nga opozita, nga intelektualë dhe nga qytetarët për keqmenaxhim.

Ish-ministres së Arsimit, Besa Shahinit nuk i munguan protestat te "Rruga e Durrësit" as nga maturantët dhe shkak u bë provimi i Maturës Shtetërore të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Shahini i cilë protestat politike dhe se një maturant nuk mund të ankohet se ishte provimi i vështirë. Për tezë provimi ishte marrë një model i huaj dhe nuk ishte përshtatur në mënyrën e duhur në gjuhën shqipe duke sjellë shumë paqartësi tek studentët. Pyetja që bëri më shumë bujë ishte ajo se çfarë bëri "Turi".

Pra, ish-ministrja Besa Shahini, gjatë gjithë peridhës së saj në krye të Ministrisë së Arsimit, është akuzuar për çështje konkrete dhe jo siç pretendon ajo për racizëm për shkak të origjinës së saj nga Kosova.

Ndoshta, Besa Shahini nuk gjeti atë "të majtë" që mendonte në qeverisjen e Rilindjes dhe dështimin mund t'ia faturojë shefit të saj Edi Rama, por ajo që dihet është se gjatë drejtimit të Arsimit nga Shahini reformat nuk rezultuan të sukseshme për të zgjidhur hallet e studentëve dhe nxënësve, dhe ish-ministren gjatë karrierës politike në Tiranë e shoqëruan gjatë gjithë kohës akuzat dhe protestat./E.B./Politiko.al

 

Të fundit