Flash News

KRYESORE

Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, Rama takim me zyrtarët në Kosovë; Limaj: Ishte i gatshëm të na ofrojë ndihmë

Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Kosovë pas situatës së krijuar me akt-akuzën e Prokurorisë së Posaçme në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, Thaçi dhe Veseli. Rama ka zhvilluar takime me disa nga zyrtarët më të rëndësishëm të vendit si kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Në takimet e tij me zyrtarët e lartë në Kosovë, Rama është shoqëruar edhe nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Nuk bëhen me dije detaje konkrete nga bisedat e Ramës me zyrtarët, por nga reagimet e këtyre të fundit lihet të kuptohet se bëhet fjalë për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Pas bisedës me Ramën, Limaj pohoi se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi, ndërsa shtoi se kryeministri shqiptar ishte shprehur i gatshëm që të ofrojë ndihmë Kosovës.

“Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë”, thotë Limaj.

 

Të fundit