Flash News

KRYESORE

Akuzat ndaj VOA-s/ Etilda Gjonaj sërish në konferencë: Keni qasje të gabuar. Interesimi i deputetëve është legjitim

Akuzat ndaj VOA-s/ Etilda Gjonaj sërish në konferencë: Keni qasje

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka vijuar edhe sot debatet me ‘Zërin e Amerikës’, për shkak të publikimit të skandalit për ndërhyrjet e deputetëve të Partisë Socialiste për punësimin e njerëzve të tyre në sistemin e burgjeve.

Duke mbrojtur procesin e zhvilluar për rekrutimin e punonjësve të rinj në policinë e burgjeve, Gjonaj akuzoi ‘VOA’-n se nuk ka marrë në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka mbajtur një qasje totalisht të gabuar ndaj të dhënave të siguruara nga dosja hetimore e Arben Çukos, ish-drejtor i burgjeve.

“Jam sot përpara jush për të sqaruar çështjen e procedurave të testimit të punonjësve të rinj në policinë e burgjeve. Një çështje që e konsideroj shumë të rëndësishme dhe që jam e vendosur ta mbroj deri në fund, me përgjegjësinë maksimale, sepse e theksoj se ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik, transparent dhe cilësor që është kryer ndonjëherë në sistemin penitenciar në historinë e tij. Dje në mbrëmje, ‘Zëri i Amerikës’ nuk mori në konsideratë qëndrimin e Ministrisë së Drejtësië dhe as argumentat që unë prezantova lidhur me këtë proces. Por rikonfirmoi me deklaratë qasjen totalisht të gabuar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore. U shpreh për prova që gjendeshin në dosjen hetimore, por pa marrë parasysh që ato prova janë indicie, të cilat do t’i japin mundësi prokurorisë për të hetuar më tej lidhur me çfarë kanë dalë nga përgjimet”, u shpreh ministrja.

Sipas Gjonajt, informacionet që dalin nga kjo dosje e prokurorisë “nuk kanë të bëjnë me procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë së burgjeve”, që është zhvilluar në prill të 2018-ës.

Sa i përket ndërhyrjes së deputetëve për punësimet në administratë, ministrja Gjonaj u përpoq të zbusë skandalin duke folur për “interesim legjitim” të tyre.

“Do të ishte korrekte që VOA në bazë të këtyre indiceve të kërkonte dhe të verifikonte dosjen e procedurave të testimit të punonjësve të burgjeve, për të parë nëse interesimi legjitim i deputetëve për çështje të caktuara të personelit të burgjeve është përkthyer në shkelje të të drejtave të atyre që kanë marrë pjesë në provim. Interesimi i deputetëve nuk ka asnjë lidhje me procesin e rekrutimit të punonjësve të burgjeve”, deklaroi Gjonaj.

“Përgënjeshtro lajmin”, Zëri i Amerikës i përgjigjet Gjonajt: S’tërhiqemi, faktet janë bazuar nga një dosje hetimore me përgjime

Të fundit