Flash News

KRYESORE

Albana Vokshi në krye të misionit ndërkombëtar, certifikon autokratin Ilham Aliev: Zgjedhjet ishin demokratike

Një vend jo-demokratik ka zhvilluar zgjedhje presidenciale demokratike. Ky është konkluzioni i grupit të huaj të monitorimit të zgjedhjeve të Azerbajxhan, që udhëhiqej nga deputetja shqiptare Albana Vokshi.

Media azere “APA” raporton se Vokshi i ka vlerësuar zgjedhjet si demokratike, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Fitues me mbi 80% të votave ishte Ilham Aliev, autokrati që drejton Azerbajxhanin e pasur me gaz, që prej 15 vitesh.

“Zgjedhjet ishin demokratike dhe transparente. Qendrat e votimit ishin të mirpërgatitura. Ne nuk u përballëm me asnjë problem në listat e votuesve. Votimi ishte i qetë dhe pa asnjë ndërhyrje. Ne nuk vërejtëm asnjë problem as në numërimin e votave”, ka deklaruar Vokshi në konferencën e organizuar në Baku.

Por këto fjalë të deputetes shqiptare të krijojnë përshtypjen se ajo ishte vëzhguese në zgjedhjet e zhvilluara në Danimarkë dhe jo në Azerbajxhan, i cili është klasifikuar në raportin e fundit të ‘Freedom House’ si një vend jo i lirë.

Sipas këtij raporti, të drejtat politike në Azerbajxhan klasifikohen 7/7, pra mungojnë plotësisht. Pothuajse të njëjtin nivel negativ Azerbajxhani ka për liritë qytetare, 6/7, dhe për lirinë dhe respektimin e të drejtave në tërësi, 6.5/7

‘Freedom House’ për Azerbajxhanin: “Në qeverinë autoritare të Azerbajxhanit, fuqia mbetet e përqëndruar në duart e Ilham Aliyev, i cili ka shërbyer si president që prej vitit 2003. Korrupsioni është i shfrenuar dhe pas persekutimit disa vjeçar, opozita formale mbetet e dobët. Vitet e fundit, regjimi ka ndërmarrë një goditje të gjerë ndaj të drejtave civile, duke lënë shumë pak hapësirë për aktivistët.”

Të fundit