Flash News

KRYESORE

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i përgjigjet artistëve që firmosën peticionin: Keqardhje që kanë ndryshuar qëndrimet e tyre

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i përgjigjet artistëve që

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar pas peticionit të firmosur sot nga një grup artistësh të cilët i kërkonin Presidentit dekretimin e ligjit që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar.

Që në nisje të reagimit, Aleanca thekson se çështja e Teatrit nuk është thjesht një problem estetik e kulturor dhe se për institucionin e Presidentit ky është së pari një problem ligjor.

Duke ju referuar faktit që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, Aleanca shprehet se Presidenti ka detyrimin jo thjesht ligjor, po historik, të ndalojë sa më parë këtë precedent të frikshëm.

Sa i takon firmëtarëve të peticionit që u publikua sot në media, Aleanca thotë se shpreh keqardhje për disa nga artistët që kanë ndryshuar totalisht qëndrimet e tyre nga ato të shprehura publikisht dhe me firmë pak javë më parë.

Reagimi i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Sot propaganda e pushtetit shpërndau në media të ndryshme një peticion të disa artistëve ku kërkohet nga ana e Presidentit dekretimi i ligjit special që i hape rrugë shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar në favor të zhvillimit të projektit të prezantuar tashmë nga Qeveria.

Me këtë rast duam ti kujtojmë Presidentit dhe publikut të gjerë se:

1) Çështja e Teatrit nuk është thjesht një problem estetik e kulturor. Për institucionin e Presidentit ky është së pari një problem ligjor. Ligji aktual përmban shkelje të rënda të ligjeve aktuale dhe të Kushtetutës së vendit. Ai shkel në mënyrë flagrante barazinë para ligjit dhe autonominë e pushtetit vendor, parime të rëndësishme të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe në Marrëveshjen e Stabilizimit Asociimit.

Në këto kushte, një grup artistësh kurrsesi nuk mund të ketë pushtetin për të grabitur truall publik apo për të shkelur ligjet. Përpjekja për ta reduktuar këtë problem në një kuadër emocional është e gënjeshtërt dhe e pavlerë për vendimin që duhet të marrë Presidenti.

2) Në momentin që Gjykata Kushtetuese e vendit vazhdon të jetë e bllokuar, ky problem merr përmasa akoma më të rëndësishme në lidhje me zhvillimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Nëse Qeveria lejohet të tejkaloj kompetencat e saj, të shkelë në mënyrë flagrante Kushtetutën, të mos respektoj ndarjen e pushtetit, ky do të përbënte një precedent të errët për të ardhmen e vendit. Presidenti ka detyrimin jo thjesht ligjor, po historik, të ndalojë sa më parë këtë precedent të frikshëm. Produkti i parë i Reformës në Drejtësi nuk mund të jetë kurrsesi shkelja e Kushtetutës nga ana e Qeverisë.

3) Shprehim keqardhje për disa nga artistët që kanë ndryshuar totalisht qëndrimet e tyre nga ato të shprehura publikisht dhe me firmë pak javë më parë. Gjithsesi, duam ti kujtojmë publikut se janë mbi 180 artistë dhe 80 arkitektë që kanë firmosur publikisht pro restaurimit të godinës aktuale dhe mbrojtjes së truallit publik.

Përpjekja për të treguar një qëndrim unanim pro-qeverisë nga ana e artistëve është thjesht gënjeshtra e radhës e makinës së propagandës.

Artistët kanë të drejtë ta mbrojnë Teatrin, por nuk mund ta shesin as atë e as truallin publik. Ajo i takon të gjithë qytetarëve të vendit.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

 

Të fundit