Flash News

KRYESORE

Alexandre Pato ende i dashuruar me Milanin: Nëse Gattuso më thërret, s’do t’i thoja kurrë jo

Ish-sulmuesi brazilian i Milanit, Alexandre Pato, i cili aktualisht aktivizohet tek skuadra kineze e Tianjin Quanjian, u rikthye para disa ditësh në Milano për të luajtur në ndeshjen përshëndetëse të largimit të Pirlos nga futbollli, ku takoi edhe njëherë shumë shokë të ekipit kuqezi.

Kaq ka mjaftuar për t’i ndezur edhe një herë dëshirën Patos për një rikthim të mundshëm tek Milani, ndërkohë që diçka të tillë ai e ka pohuar edhe vetë në një intervistë për “Gazetta dello Sport”.

“Il Papero” është shprehur se ende ndihet i dashuruar me Milanon dhe nuk do ti thoshte kurrë “jo” rikthimit në San Siro.

“Pronarët janë nga Kina dhe unë kam krijuar një lidhje me ta. Pastaj dihet që jam i dashuruar me Milanin dhe qytetin e Milanos, nuk mund t’i them kurrë jo mundësisë për t’u rikthyer në San Siro”, ka thënë Pato.

Ndërkohë sulmuesi 28-vjeçar nuk e ka lënë me kaq, pasi ka deklaruar se kontrata e tij me ekipin kinez skadon pas një viti dhe nëse ish-shoku i skuadrës dhe trajneri aktual i Milanit, Gennaro Gattuso, do ta telefononte për t’i këshilluar ndonjë lojtar të mirë, ai do t’i jepte emrin e tij.

“Unë kam edhe një vit kontratë këtu në Kinë, por në futboll kurrë nuk mund të thuash kurrë. Nëse shoku im Gattuso do të më telefonojë për t’i këshilluar ndonjë sulmues, unë do t’i jap emrin tim, padyshim ”, është shprehur Pato duke ngjallur shpresat tek tifozët për rikthimin e tij.

Kujtojmë se Alexandre Pato erdhi tek Milani në janar të 2007-ët, kur kuqezinjtë fituan Championsin e fundit, dhe u largua në janarin e 2013-ës duke koleksionuar 51 gola në 117 ndeshje të luajtura në të gjitha veprimtaritë.

Aktualisht ai luan me Tianjin Quanjian në Kinë, ku në 27 ndeshje ka shënuar 17 gola.

Të fundit