Flash News

KRYESORE

Ambasada paralajmëroi amerikanët për 2 Marsin, Presidenca: Asnjë alert, 200 shqiptaro-amerikanë po vijnë

Ambasada paralajmëroi amerikanët për 2 Marsin, Presidenca:

Vetëm pak minuta pasi Ambasada e SHBA-ve në Tiranë paralajmëroi qytetarët e vet që të bëjnë kujdes në datën 2 mars, kur do të zhvillohet protesta e presidentit Meta, ka ardhur edhe reagimi i Presidencës.

Ka qenë vetë zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka ironizuar me këtë qëndrim të ambasadës amerikane duhe njoftuar se mbi 200 shqiptaro-amerikanë do të jenë në tubimin e 2 marsit.

“Asnjë alert për datën 2 mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë! Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe.

Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet”, shkruan Blushi.

Ai konfirmoi gjithashtu se sot paradite Presidenti Meta me kërkesën e tij ka pritur në takim drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë!

“Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00. Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar.

Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetute e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së. Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese!

Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit. Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane!  Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri!”, shkruan Blushi në postimin e tij në Facebook.

Të fundit