Flash News

KRYESORE

Ambasadoja gjermane për situatën në Shqipëri: Respektojmë vendimet e deputetëve. Presim luftë kundër krimit

Ambasadoja gjermane për situatën në Shqipëri:

Ambasadroja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz ka reaguar për krizën politike në Shqipëri, në një kohë kur pritet vendimarrja e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave. Në deklaratë theksohet se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë sa më shpejt funksionale, si dhe të ngrihet Struktura e Posaçme anti-Korrupsion (SPAK).

Gjermania kërkon gjithashtu hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë , në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç. Përshëndes faktin që - edhe pse ngadalë - reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët , por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore", shprehet Schutz.

Lidhur me djegien e mandateve, ambasadorja gjermane thotë se respekton vendimin e secilit deputet dhe pasuesve të tyre në lista, qoftë kundër pranojnë mandatin, por qoftë edhe kur e refuzojnë atë.

"Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend", thuhet në deklaratën e ambasadores.

Deklarata mbyllet me keqardhjen për mos-realizimin e reformës zgjedhore: "Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve."

Të fundit