Flash News

KRYESORE

"Ambasadorët nuk kanë punë në çështjet e brendshme. Ndryshimet mes Ilirit dhe Monikës. Cila ishte gjëja më e mirë e protestës opozitare"

"Ambasadorët nuk kanë punë në çështjet e

Politiko.al/ 3 Pyetje për Ylli Manjanin

 

1-Protesta e opozitës dje, ra në sy për koordinimin, por edhe për pjesëmarrjen. Çfarë patë ju si pozitive në zhvillimet e djeshme, dhe çfarë nuk ju pëlqeu? 

Në fakt, koordinimi i veprimeve opozitare ishte e mira më e madhe e asaj proteste. Shpresoj të jetë një hap i rëndësishëm drejt bashkimit opozitar, bashkim i cili ka detyrë të ndërtojë alternativën e re qeverisëse. 

Vetëm me bashkim opozita ecën përpara dhe garantohet rotacioni politik i logjikshëm. 

Protestat, bojkotet, thirrjet, retorikat kur përdoren në logjikën e bashkimit janë më efiçente, sepse e ndalojnë qeverinë të spekulojë me opozitën. 

Protesta e djeshme motivohej nga dhunimi i Kushtetutes nga Partia Socialiste. Zgjedhja e Prokurorit është haptazi anti-kushtetuese!

Nga kjo pikpamje një opozitë është legjitime të reagoje proporcionalisht kur sheh se partia që sundon (se nuk qeveris), nxjerr nga funksionimi Kushtetutën e vendit. 

Njerëzit ndahen te masa e proporcionalitetit reagues, por jo me nevojën për reagim në këto kushte. 

Nuk më pëlqeu zhurma që u krijua. Zhurma krijoi kakofoni dhe zbehje të mesazhit të protestës.  

Por, problemi mbetet: Qeveria tashmë funksionon jashtë shtratit kushtetues.

2-Monika Kryemadhi, si në sallë ashtu edhe jashtë, mori mbi vete një rol të fortë që krijoi shumë zhurmë dhe kundërthënie. Si e ka drejtuar Kryemadhi LSI që pas ikjes së Metës, dhe si u duk ajo dje në rolin e një shefeje partiake në 'betejë'? 

Monika është politikane e veprimit, në fakt. Në këtë pikë është e pa konkurueshme. Protagonizmi i djeshëm ishte i lartë, mund edhe të mos ishte, në fakt. Por, situata degjeneroi veçanërisht pas përplasejeve fizike. Pak më shumë tolerancë duhet të tregonte qeveria, por nuk e bëri, sepse qëllimi ishte të shtynte opozitën në ekstrem. Duke bërë këtë do të shfaqej para publikut si viktimë. Edi Rama ka 20 vjet që luan suksesshëm rolin e viktimës...

Monika harxhon më shumë kohë me diskutime të brendshme, dhe me strukturat e partisë. Iliri është më i fokusuar te konktakti me njerëzit. Eshtë ende shpejt të shohim rezultate. Puna e kryetarëve matet me rezultate. 

Pa dyshim, energjia e opozitarizmit të Monikës është e domosdoshme për një parti në Opozitë, por opozitës i mungon Ilir Meta. I mungon negociatori i të gjithë faktorëve opozitarë drejt një bashkimi solid. 

Ka shumë opozitarë të qeverisë që dikush duhet t'i mbledhë. Iliri e zotëron këtë talent, që ka humbur te Presidenti pa kompetenca... gjykoj se opozitari Meta i duhej më shumë se Presidenti Meta vendit sot...

3-Ndërkombëtarët janë shigjetuar shumë muajt e fundit. Pse? A nuk janë ata përfaqësues të qeverive të tyre pranë qeverisë së Tiranës, dhe jo të ndonjë Kodi Universal Vlerash?

Jo të gjithë ndërkombëtarët janë shigjetuar. Vetëm ndërkombëtarët protagonistë. Insistoj te kjo logjikë: përsa kohë ambasadorët bëhen pjesë e debateve politike, meritojne edhe kritikën përkatëse! Kjo nuk është aspak e zakonshme, sepse ambasadorët kur akreditohen, nënshkruajnë një marrëveshje me shtetin. E kjo marrëveshje është për të gjithë njësoj, ku ambasadorët nuk kanë punë në çështje të politikës së brendshme. Unë nuk i kritikoj pse merren me politikë, por i kritikoj për politikën që kanë zgjedhur të bëjnë!

Ç'është më e rëndësishmja, kompromis me zbatimin e ligjit nuk kemi pse të bëjmë. Për shembull, nëse Kushtetuta thotë se Prokurori zgjidhet me 84 vota, ky është detyrim për t'u zbatuar. S'ka më as interpretim e as mendim. Kushdo qe nuk e pranon këtë gjë është kundër Kushtetutës. Punë e madhe se mund të jenë të huaj. Këta të fundit nuk kanë përgjegjësinë ligjore për këtë shkelje, por pa dyshim, meritojnë kritikë që mbështesin zgjidhje jashtë Kushtetutës.

Ose zonja tjetër, që foli për korrupsionin, dhe mirë bëri. Por, vetë bleu një vilë pa tender. Po ta bënte një shqiptar atë gjest do etiketohej menjëherë 'i korruptuar'. Tani çfarë morali po na shesin?!!

Pse kjo nuk duhet thënë, vetëm se ajo është ambasadore. 

Më vjen keq, por fjalën e lirë e kemi mësuar nga Perëndimi...

Pa dyshim, ne duhet t'i jemi mirënjohës qeverisë së ShBA dhe vendeve anëtare të BE që na janë gjendur në ditë të vështira! Njerëzit nuk janë të gjithë njësoj, por vlerat e Perëndimit janë të pavdekshme, pavarësisht zyrtarëve që flasin në emër të tyre.

Politiko.al

Të fundit