Flash News

KRYESORE

Ambasadori britanik: Zgjedhjet janë demokratike kur opozita merr pjesë

Ambasadori britanik: Zgjedhjet janë demokratike kur opozita merr pjesë

Mbretëria e Bashkuar dukshëm nuk preferon që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës. Kjo lihet të kuptohet nga deklarata e ambasadorit britanik në Shqipëri, Duncan Norman, i cili në një intervistë për ‘Balkanweb’ thotë se zgjedhjet teknikisht mund të zhvillohen pa opozitën, por që procesi të konsiderohet demokratik qytetarët duhet të zgjedhin për alternativat.

“Teknikisht them se po mund të bëhen por në fakt zgjedhjet në çdo vend duhet që të jenë një proces demokratik dhe duhet t’i japin mundësi qytetarëve të zgjedhin mes alternativave ndërsa teknikisht natyrisht që mund të bëhen zgjedhje pa opozitën por nëse kjo do ishte një gjë e mirë apo jo mbetet për t’u parë”, është shprehur Norman.

Ambasadori Norman thekson se zgjidhja për krizën politike duhet të gjendet nga palët nëpërmjet bisedimeve.

“Zgjidhja për krizën politikë është në fakt që të dyja palët të bisedojnë me njëra-tjetrën dhe çdo zgjidhje patjetër që mund të vijë vetëm përmes dialogut. Sa i përket zgjedhjeve me 30 qershor mendoj që teknikisht mund të realizohen në datën e caktuar por është e rëndësishme që të jenë demokratike dhe kjo do të thotë se të gjitha palët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, ambasadori i Britanisë thotë: “Lufta ndaj krimit të organizuar është një çështje që na shqetëson të gjithëve ne. Isha këtu në Shkodër për të dëgjuar disa nga sukseset e fundit të policisë por edhe çfarë mbetet për t’u bërë. Disa nga sukseset që ka patur në këtë fushë është edhe vendimi për burgimin e Klemend Balilit. Policia ka patur një numër operacionesh të suksesshme në të gjithë Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kjo ka çuar në një numër arrestimesh të rëndësishme dhe siç pamë edhe ditët e fundit edhe në dënime të rëndësishme si ai i Balilit. Por sigurisht mbetet akoma shumë për t’u bërë dhe kjo është arsyeja pse qeveria britanike punon me atë shqiptare për ta luftuar krimin e organizuar të dyja bashkë.”

Të fundit