Flash News

KRYESORE

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë: Regresi në luftën kundër korrupsionit, shumë shqetësues

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë: Regresi në luftën

Në raportin e fundit, “Transparency International” ka publikuar rezultatet e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2018, duke e renditur Shqipërinë në vend të 99-të mes 180 vendeve dhe territoreve të përfshira në këtë indeks.

Shqipëria ka shënuar 36 nga 100 pikë të total, duke humbur dy pikë në krahasim me vlerësimin e vitit 2017 dhe tri pikë në krahasim me atë të vitit 2016.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, thekson se mungesa e progresit kundër këtij fenomeni mbetet një nga problemet e mëdha.

“Korrupsioni e gërryen besimin publik dhe e shtrembëron rritjen ekonomike në demokracitë e reja. Fatkeqësisht, shumica e vendeve të Europës Juglindore kanë pësuar regres në krahasim me një vit më parë. Prirja negative në rastin e Shqipërisë është edhe më shqetësuese, pasi përmbys përmirësimin e dukshëm në perceptimin e korrupsionit mes viteve 2013 dhe 2016”, tha ambasadori Bernd Borchardt.

Transparency International raporton se një shkak i mundshëm i kësaj prirjeje të kundërt është ngërçi politik në vend gjatë vitit 2018, ngërç i cili solli për pasojë bllokimin e reformave të rëndësishme kundër korrupsionit, ndërkohë që vazhdimi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe themelimi i institucioneve të reja kundër korrupsionit janë zhvillime inkurajuese, që ende nuk kanë dhënë fryt.

Ambasadori Borchardt tha se reformat e ndërmarra, përfshirë këtu vetingun në sistemin e drejtësisë, duhen realizuar, si dhe të ngrihen institucionet e reja kundër korrupsionit.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen që prirja pozitive që ekzistonte prej vitit 2013 e më tej u përmbys në 2017-ën dhe u përkeqësua më tej në vitin 2018. Ne mbetemi të përkushtuar që ta mbështesim Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, tha në fund Borchardt.

Të fundit