Flash News

KRYESORE

Ambasadori i Rusisë: Është fakt që në Kosovë u derdh gjak para pavarësisë; a duhet të prisnim të njëjtën gjë në Krime?

Ambasadori i Rusisë: Është fakt që në Kosovë u

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin e pranon faktin që në Kosovë është derdhur shumë gjak përpara se të njihej pavarësia e saj, që tashmë, siç thotë edhe vetë ai, është pranuar nga më shumë se 100 shtete të botës. Por Karpushin shtron pyetjen nëse duhej lejuar që edhe në Krime të përsëritej e njëjta situatë që shtetet perëndimore të pranonin shkëputjen nga Ukraina.

I dërguari i Moskës në Shqipëri tregon për gazetën "Shekulli" tre dallimet kryesore që sipas tij qëndrojnë midis Kosovës dhe Krimesë.

“Unë do të veçoja tri dallime kryesore. Së pari, Kosova mori rrugën e krijimit të një shteti më vete, ndërsa banorët e Krimesë vendosën të bëheshin pjesë e një vendi tjetër, pra e Rusisë. Së dyti, dhe ky është një moment kyç, pavarësia e Kosovës u shpall me vendim të parlamentit, pa zhvillimin e një referendumi, ndërsa në Krime u organizua një referendum plotësisht transparent, në të cilin më shumë se 95% e votuesve u shprehën në favor të ribashkimit të gadishullit me Rusinë. Dhe së treti, Kosova është njohur nga më shumë se 100 vende, ndërsa ribashkimin e Krimesë me Rusinë shumica e vendeve e konsiderojnë si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe, për më tepër, si një bazë për vendosjen e sanksioneve kundër vendit tonë. Dhe këtu kemi të drejtë të shtrojmë një pyetje: përse Perëndimi u ndalon banorëve të Krimesë atë që u lejohet shqiptarëve në Kosovë? Disa e argumentojnë këtë me faktin se në Kosovë u derdh shumë gjak para se të njihej pavarësia e saj. A ishte me të vërtetë e nevojshme të prisnim gjakderdhje edhe në Krime për të marrë pëlqimin që ky popull e ka të drejtën e vetëvendosjes?”,- thotë ambasadori.

Sa i përket mundësisë që Rusia të ndryshojë qëndrim lidhur me çështjen e Kosovës, Karpushin thekson se presidenti Vladimir Putin mbështet zgjidhjen nëpërmjet dialogut me Serbinë dhe është gati të mbështesë çdo zgjidhje e cila do të arrihet nga palët, me kusht që dakordësitë e tyre nuk do të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Udhëheqja ruse, përfshirë këtu presidentin Vladimir Putin, ka theksuar vazhdimisht se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës duhet të zgjidhen në rrugë politike – përmes dialogut dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila është ende në fuqi. Rusia mirëpret bisedimet aktuale midis Beogradit dhe Prishtinës dhe është gati të mbështesë çdo zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e cila do të arrihet nga palët, me kusht, sigurisht, që dakordësitë e tyre nuk do të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, deklaron Karpushin.

Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik dhe politik me Shqipërinë, ambasadori rus thotë se i takon palës shqiptare të bëjë hapa konkretë në këtë drejtim.

Të fundit