Flash News

KRYESORE

Ambasadori në Beograd: Rusia është për një zgjidhje kreative të dialogut Serbi-Kosovë

Ambasadori në Beograd: Rusia është për një zgjidhje

Në një intervistë të gjatë për agjencinë e lajmeve Tanjug, e para e këtij lloji, qysh nga dita e fillimit të mandatit të tij si ambasador i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko parashtron prioritetet e punës së tij në Beograd, duke e vënë theksin te çështjet e mprehta të politikës së vendit që ai përfaqëson në rajonin e Ballkanit, më saktë në atë pjesë të rajonit që, duke mos qenë e integruar në BE, për eufemizëm rëndom quhet Ballkani Perëndimor, por edhe në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, e këqyrur si e përkëdhelura e Rusisë në Ballkan, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Më poshtë një ekstrat i intervistës:

“Do të përpiqem të punoj krah për krah me Serbinë në mënyrë që e drejta ndërkombëtare të kthehet në rajon, një herë e përgjithmonë, dhe para së gjithash për çështjen e Kosovës”, e nis intervistën ambasadori rus dhe shton: “Rusia do të mbështesë një zgjedhje kompromisi e kreative që do të arrijnë Beogradi e Prishtina, një marrëveshje që Rusia do të mund ta mbrojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nuk është aspak në interes të Rusisë mungesa e një vendimi dhe mosarritja e një kompromisi”. Më tej ai vijon se përvoja e grumbulluar, por edhe një kuptim më i mirë i asaj se çka është në interes të Serbisë në kuadër të marrëdhënieve me Rusinë, në rajon e më gjerë në Europë, do ta ndihmojë të këqyrë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve [Serbisë e Rusisë], por edhe bashkëpunimin lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Përsa i përket rajonit, duke pasur parasysh përvojën e pjesëmarrjes në negociatat mes ndërkombëtarëve në Dayton, si dhe të ashtuquajturave negociata për statusin e Kosovës, mendoj se është detyra ime të jap një ndihmesë për stabilizimin e rajonit”, shprehet Harçenko. Kjo detyrë, thekson ai, bazohet në politikat shtetërore dhe bashkëpunimin e deklaruar veçanërisht gjatë takimit të janarit midis presidentit Putin dhe Vuçiç. “Zgjidhja është e mundshme vetëm në bazë të arritjes së një kompromisi, ndaj dhe partnerët tanë perëndimorë duhet të ndryshojnë qëndrim. Këtë gjë e dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit në Kosovë dhe situata mbërrin në zgrip për shkak të tensioneve tepër të larta. Tani po shprehem në mënyrë tejet diplomatike, por situata është realisht mjaft shqetësuese. Dhe këtë gjë e them në emër tim, duke pasur parasysh edhe përvojat e mëparshme”. Sipas tij bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë vëmendjen kur vjen puna te Kosova dhe ajo çka po ngjet në atë vend.

I pyetur nëse perceptimi për situatën shqetësuese ekziston edhe në Perëndim, Harçenko shprehet se “dyshon që [Perëndimi] të bëj një vlerësim objektiv të situatës së atjeshme”. “Sikur të ekzistonte ky vlerësim atëherë do të ishim dëshmitarë të presionit të ushtruar mbi Prishtinën, por presion mbi të nuk ka, ndaj kur nuk ekziston presioni nuk besoj se vazhdimi i dialogut është i mundur. Në këtë rast fajtore është Prishtina, janë ata që e prishën dialogun, para së gjithash duke mos marrë asnjë vendim me rëndësi jetike për serbët që jetojnë në K&M, para së gjithash formimi i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”, shprehet ambasadori rus. Sipas tij, vendimet janë në letër, por pa u materializuar ndonjëherë. “BE-ja që i donte këto vendime nuk ka ushtruar presionin e domosdoshëm gjatë bisedimeve mbi Prishtinën për të bërë të mundur implementimin e marrëveshjeve të arritura. Ata e shohin Prishtinën mes gishtave atëherë kur ajo sfidon serbët, dhe kështu ata e mbështetën formimin e ushtrisë”.

Në vijim të intervistës ambasadori i ri rus në Serbi thotë se, tani për tani nuk ka parakushte për vazhdimin e dialogut midis Beogradit e Prishtinës, duke qenë se taksat mbeten në fuqi, por, nga ana tjetër, nuk sheh asnjë gatishmëri nga Prishtina për të ndryshuar vendimet e marra më parë. Prandaj, sipas tij, është i domosdoshëm ushtrimi i presionit mbi Prishtinën. Siç shprehet ai marrëveshja është e mundur në qoftë se të gjitha palët kërkojnë arritjen e një kompromisi dhe ka dëshirë të marrë parasysh interesin edhe të palës tjetër, si dhe nëse ekziston një ndërmjetësim qëllimmirë e ndihma e bashkësisë ndërkombëtare, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare në mënyrë të balancuar e të mishëruar në Rezolutën 1244. Ai tërheq vëmendjen se në rast nuk do të ketë një zgjidhje, atëherë kjo gjë mund të shpjerë në destabilizim të rajonit. Mendimi i tij është se zgjidhja është e mundshme vetëm në suazë të bisedimeve të hapura e të ndershme. “Moszgjidhja e çështjes së Kosovës rëndon sigurisht mbi Serbinë, por edhe rajonin në përgjithësi. Pikërisht për këtë gjë jemi këtu për të dhënë ndihmesën tonë, të ndihmojmë. Ndaj besoj se do të mbërrihet në një zgjidhje të drejtë ndërkombëtare, por jo shumë shpejt”, parashikon Harçenko. “Është e vështirë të thuhet, duke qenë se nuk dëshirojmë të imponojmë kurrfarë zgjidhjeje apo të përcaktojmë drejtimin e negociatave. Por kur kërkohet kompromis atëherë qasja kreative është e domosdoshme”.

I pyetur rreth mundësisë së ndryshimit të formatit në kuadër të mbajtjes së dialogut, ai shprehet se tani për tani nuk ka parakushte për rifillimin e dialogut dhe përsa i përket Rusisë qëndrimi i saj është parimor [i pandryshuar]. “Përsa i përket iniciativës dhe rolit të Beogradit, të cilin ne e inkurajojmë dhe e mbështesim, në qoftë se Serbia kërkon që Rusia t’i bashkangjitet ndonjë grupi  vendesh dhe për këtë gjë bihet dakord – ne mundemi, pse jo, por me qëndrimin tonë, i cili duhet respektuar – ashtu siç duhet respektuar edhe Rezoluta 1244. Në rast të kundërt nuk pranojmë, mendoj që të njëjtim qëndrim ka edhe Serbia. Aktualisht jemi gati të ofrojmë ndihmesën tonë me qëllimin rifillimin e dialogut”, thotë Harçenko.

I pyetur sesi e sheh luftën diplomatike që po bën Serbia dhe presidenti Vuçiç për Kosovën, ai tha se Serbia ka një qëndrim të mirëbalancuar dhe të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. “E rëndësishme është që ky qëndrim të vlerësohet e të kuptohet njëlloj edhe nga të tjerët. E kuptoj se kjo është diçka jashtëzakonisht e vështirë, por ai mendon dhe kërkon një zgjidhje paqësore, një kompromis që të jetë i mundur në kushtet aktuale mjaft të vështira, duke ruajtur në mënyrë parimore qëndrimin e Serbisë, duke u mbështetur në vullnetin dhe mendimin e popullit, duke ditur sesi të përgjigjet në rast krize”. Ai shton se në mendimet e veprimet e presidentit Vuçiç sheh para së gjithash një qasje diplomatike. “Ndoshta shprehja më e saktë do të ishte të thuhej se Vuçiç po zhvillon një luftë diplomatike, duke pasur ndër mend se sa e vështirë është kjo çështje dhe sa shumë pengesa e kundërshti has. Një qasje tepër kreative, tepër diplomatike, si një burrë shteti i fortë”, gjykon e vlerëson Harçenko lëvizjet e presidentit të Serbisë. Dhe shton: “Rusia është e gatshme të ndihmojë, por nuk e di se çfarë tjetër gjë mund të kërkohet prej Beogradit”.

I pyetur nëse Rusia e sheh Serbinë si bastionin e fundit në një rajon që aspiron drejt NATO-s, ambasadori rus tha se “nuk pajtohet me përdorimin e termit – bastion”. Ai vijoi: “Fjala bastion nuk i përgjigjet parimeve rus dhe konceptit të sigurisë në Europë. Vizioni ynë bazohet në konceptin ose parimin e sigurisë së përbashkët dhe të hapësirës së sigurtë të përbashkët pa kurrfarë bastionesh – as NATO, as Rusi, pra pa ndarje. Ky është koncepti ynë, ky është qëllimi ynë”.

Përsa i përket angazhimit politiko-ushtarak, ai u shpreh se kjo është zgjidhja që duhet të bëj Serbia, një vendim krejt i pavarur i saj. “Mendimi im personal është se asnjanësia ushtarake në një farë kuptimi është pjesë e traditës së vendeve të rajonit. Në qoftë se shohim historinë, neutraliteti politiko-ushtarak ka qenë zgjidhja më e mirë e vendeve të këtushme. E rëndësishme është që Rusia, dhe këtë gjë e di me saktësi dhe dëshiroj ta shpall me mjaft përgjegjësi, nuk ka kërkuar prej Serbisë të marrë një pozicion ose të bëjë zgjedhje që i volit Rusisë në mënyrë që ne këtu të themi të kemi një bastion. Jo. Ne i respektojmë vendimet e Serbisë si shtet sovran dhe për ne kjo është e rëndësishme dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim”, u shpreh Harçenko. Ai shtoi se neutraliteti ushtarak i ofron mundësi Serbisë që në bashkëpunim me të gjithë ata që ajo dëshiron të rrisë e aftësitë mbrojtëse të vendit e të ushtrisë. “’Ombrella’ nuk është e domosdoshme. Ne gjykojmë se Serbia është një shtet i fuqishëm dhe i pavarur dhe kjo është linja që ndjek si Presidenti ashtu edhe qeveria – bashkëpunim po, por pa kurrfarë ombrelle. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe në kuadër të ODKB-së, por pa dashur konvertimin e Serbisë dhe dëshiroj ta theksoj këtë gjë, në terrenin e kundërvënies globale me Perëndimin ose me NATO-n. Kjo gjë nuk i volit Moskës, duke qenë se në një situatë të këtillë nuk është e mundur zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike, kulturore dhe në fusha të tjera që përbëjnë prioritet për ne”, vuri në dukje Harçenko. Më tej ai përsëriti se “mungesa e një vendimi dhe kompromisi për Kosovën nuk është aspak në interes të Rusisë”. Ai vijoi: “Përsa i përket Abkazisë, Osetisë së Jugut... nuk ekziston as edhe një lidhje me Kosovën. Po kjo gjë vlen edhe për rastin e Krimesë, është një histori krejt ndryshe – Krimea iu kthye Rusisë në bazë të referendumit, ndërkohë që e dimë shumë mirë se për Kosovën nuk ka pasur ndonjë referendum. Çështja e Krimesë është e mbyllur njëherë e mirë, siç thuhet, Krimea u kthye në strehën prindërore. Krimea është pjesë përbërëse, e patjetërsueshme e Federatës Ruse. Kur kërkojmë zgjidhje për Kosovën nisemi nga ajo që që Kosova është pjesë e Serbisë”, përfundoi ambasadori rus.

I pyetur sesi e komenton faktin që Perëndimi vazhdimisht e qorton Serbinë se është nën ndikimin e Rusisë, Harçenko u shpreh se “në rast se dy vende kanë një traditë të hershme bashkëpunimi, marrëdhëniesh të ngushta të ndërsjella në të gjitha fushat, atëherë është e qartë se të gjithë ndodhemi nën një ndikim të përbashkët dhe ky ndikim nuk është gjë e keqe”. Ai tha se Rusia i është mirënjohëse presidentit Vuçiç dhe qeverisë për qëndrimin e patundur e konsekuent në favor të zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë, pavarësisht vazhdimit të negociatave për t’u integruar në BE. “Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë vend kyç në rajon. Këtë gjë e them pa synuar të zbeh peshën e vendeve të tjera”, përfundon intervista e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.

 

Të fundit