Flash News

KRYESORE

Ambasadori norvegjez: Korrupsioni dhe zbatimi i ligjit mbajnë larg investitorët e huaj

Ambasadori norvegjez: Korrupsioni dhe zbatimi i ligjit mbajnë larg

Flet ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, Per Strand Sjaastad: Ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet.

Shqipëria dhe Norvegjia janë kaq larg por dhe afër. Nga njëra anë, Norvegjia është një nga vendet më të zhvilluara të Europës, me të ardhura për frymë prej rreth 70 mijë dollarësh, matur sipas fuqisë blerëse, e treta në Europë, ndërsa Shqipëria e ka këtë tregues vetëm 12 mijë dollarë, e fundit në Europë. Nga ana tjetër, dy vendet janë të ngjashme sa u përket burimeve natyrore dhe hidrike.

Shqipëria është e dyta në Europë pas Norvegjisë sa i përket potencialit hidroenergjetik, të dy shtetet kanë burime të shumta natyrore dhe një bregdet, që mundëson zhvillimin e sektorit detar. Pikërisht këto ngjashmëri mund të tërheqin interesin e sipërmarrësve norvegjezë. Por, ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, z. Per Strand Sjaastad, pohon se investitorët e huaj stepen nga niveli i ulët i zbatimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e barazisë në tenderë, problemet me të drejtën e autorit, trajtimin në Gjykata etj.

Ai e përsërit disa herë gjatë intervistës që problemi kryesor që pengon zhvillimin e Shqipërisë dhe ardhjen e investimeve të huaja është zbatimi i ligjit, si dhe korrupsioni, dhe shton se ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj. Sjaastad thotë në një intervistë për “Monitor” se Shqipëria ka veçanërisht potencial në dy sektorë, në atë të energjisë, ku parësore është krijimi i një burse të energjisë që do të garantonte investitorët për tregun dhe do t’i mundësonte Shqipërisë të kthehej në një nyjë rajonale.

Sektori i dytë është ai detar, për të cilin Norvegjia po asiston për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve që janë përgjegjëse për sektorin e marinës, krijimin e një sistemi edukimi dhe përmirësimin e infrastrukturës së lundrimit dhe komunikimit në det. Pas kësaj, ambasadori shpreson se do të rriten investimet e sipërmarrjeve norvegjeze në këtë sektor.

Një tjetër shans për Shqipërinë është fakti që Innovation Norway, një instrument i rëndësishëm i qeverisë norvegjeze për inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve, i cili është i përfaqësuar në 30 vende në mbarë botën, po shikon mundësinë për të zgjeruar aktivitetin në Shqipëri. Nëse ata do të vendosin të vijnë në Shqipëri, sipërmarrjet mund të përfitojnë grante për të rritur kapacitetet e tyre.

Të fundit