Flash News

KRYESORE

Ambasadori i OSBE: Prania e vëzhguesve mund ta përmirësojë procesin zgjedhor

Ambasadori i OSBE: Prania e vëzhguesve mund ta përmirësojë

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, deklaroi sot se “prania e vëzhguesve, si atyre të huaj dhe vendas, mund ta përmirësojë procesin zgjedhor dhe pikërisht për këtë arsye i është ngarkuar ky rol i rëndësishëm ODIHR-it qysh prej vitit 1996”.

Këto deklarata Borchard i bëri në Konferencën Zgjedhore mbatjur sot në Tiranë me temë: “Vëzhgimi i numërimit të votave nga vëzhguesit vendorë. Kuadri ligjor aktual dhe praktikat më të mira për zbatimin e tij.”

“OSBE-ja e mbështet fuqishëm pjesëmarrjen qytetare në proceset demokratike – vëzhgimi i zgjedhjeve është një prej shumë aspekteve të këtyre proceseve. Vëzhguesit zgjedhorë janë sytë dhe veshët e publikut në proceset zgjedhore, rojtarët e vërtetë që ndihmojnë në frenimin e mashtrimeve zgjedhore dhe në identifikimin e parregullsive të procesit dhe që me vlerësimin e tyre përfundimtar rezultojnë në fund të jenë zëri i qytetarëve. Por, për ta arritur këtë, vëzhgimi i zgjedhjeve duhet të jetë vërtet i pavarur, i paanshëm dhe professional”, tha Borchardt.

“Jam krenar që kam qenë vetë dëshmitar si i qytetarëve shqiptarë ashtu edhe i vëzhguesve ndërkombëtarë që kanë ngritur vazhdimisht shqetësime rreth praktikave korruptive në zgjedhje. Shoqërisë civile i takon një rol qendror në luftën ndaj korrupsionit zgjedhor. Ajo ka rritur vitet e fundit si transparencën e proceseve zgjedhore, ashtu edhe atë të numërimit të votave në veçanti”, theksoi Borchardt.

“Më erdhi mirë që mësova se OJQ-të i kanë akredituar tashmë vëzhguesit e tyre për zgjedhjet e 25 qershorit. Shpresoj që me ta të bashkohen edhe të tjerë vëzhgues vendorë në ditët në vijim. Në Shqipëri mund të vëzhgohen të gjitha aspektet e një procesi zgjedhor. Megjithatë, vëzhguesit që janë thjesht qytetarë nuk kanë të njëjtat të drejta si vëzhguesit e palëve të ndryshme, pasi ata nuk mund të marrin kopje të të dhënave në mbyllje të votimit apo tabelën përmbledhëse të rezultateve apo të paraqesin ankesa në lidhje me zgjedhjet” nënvizoi Borchardt.

Gjithashtu, shtoi Borchardt, “vlen të theksohet edhe se një nga rekomandimet kryesore të Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës ishte se planvendosja e Vendeve të Numërimit të Fletëve të Votimit duhet t’u japë mundësi vëzhguesve të ndjekin si duhet të gjitha aspektet e numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve”.

Ndonëse, vijoi ai, “dhënia e më shumë të drejtave vëzhguesve kërkon ndryshime në ligj, gjë që shpresojmë të trajtohet së shpejti, sa i u përket planvendosjes së vendeve të numërimit të votave (si largësia midis hapësirës së rezervuar për vëzhguesit dhe tavolinave të numërimit), roli i KQZ-së është vendimtar. Ne e nxisim KQZ-në të marrë të gjithë hapat e nevojshëm për zgjedhjet e 25 qershorit për të garantuar një vëzhgim të plotë të procesit të numërimit”.

“Si Prezencë e OSBE-së, ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje KQZ-së dhe organizatave të shoqërisë civile në përpjekjet tuaja për të garantuar hedhjen, numërimin dhe raportimin me ndershmëri të votës”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt.

Të fundit