Flash News

KRYESORE

Ambasadori rus shfaqet për të komentuar dëbimin e diplomatëve: Hapi i Tiranës, jomiqësor; marrëdhëniet kanë pësuar dëm të konsiderueshëm

Ambasadori rus shfaqet për të komentuar dëbimin e

Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin e ka konsideruar një hap jomiqësor, të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht vendimin e Shqipërisë për të dëbuar dy diplomatë rusë, si sensibilizim me Britaninë e Madhe në çështjen ‘Skripal’.

“Ne e shohim këtë veprim të Tiranës si një hap jomiqësor, të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht. Madje, ky hap është bërë në mënyrë jokorrekte, e kam fjalën për bërjen publike të të dhënave personale të diplomatëve të dëbuar, gjë që bie në kundërshtim të thellë me praktikën e gjithëpranuar ndërkombëtare. Asnjë vend tjetër nuk e ka bërë një gafë të tillë”, ka thënë Karpushin për televizionin ‘FaxNews’.

Ai shtoi se: “Në këndvështrimin tim, në këtë situatë udhëheqja shqiptare ka zgjedhur një rrugë të gabuar. Vendimi i saj e ka përçarë në fakt opinionin publik në Shqipëri. Ekspertë objektivë, të cilët mbajnë një qëndrim të balancuar dhe shprehin pikëpamjen e shumë qytetarëve të zakonshëm, e kanë dënuar dëbimin e diplomatëve rusë dhe e kanë theksuar me të drejtë se kjo lëvizje është kundërproduktive dhe do të çojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tona dypalëshe.”

Ky vendim i Tiranës, sipas Karpushin, ka sjellë një dëm të konsiderueshëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe rimëkëmbja e tyre nuk do të jetë e lehtë. Ambasadori rus thotë se është Shqipëria ajo që duhet të lëvizë për të përmirësuar marrëdhëniet.

“Siç përmenda më sipër, duket shumë qartë se raportet tona dypalëshe kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm dhe rimëkëmbja e tyre nuk do të jetë e lehtë. Në fakt, kishim plane shumë të mëdha të rakorduara me palën shqiptare: zhvillimin e raundit të radhës të konsultimeve diplomatike midis ministrive të jashtme, mbledhjen e Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, përditësimin dhe nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të sigluar që në vitin 2004. Kam frikë që të gjitha këto dakordësi do të mbeten të ngrira për një afat të papërcaktuar. Nuk di të them saktësisht se sa kohë do të na duhet për të rinisur një diskutim të mirëfilltë të këtyre temave. Mendoj se këtë pyetje do të ishte më mirë t’ia bëni palës shqiptare, pasi iniciativa e përkeqësimit të marrëdhënieve tona i përket pikërisht asaj. Pas bashkimit të Tiranës në vitin 2014 me sanksionet e paligjshme të BE-së kundër Rusisë, kjo është goditja e dytë dhe madje akoma më e rëndë për lidhjet tona bilaterale”, deklaroi Karpushin.

Të fundit